Masat e reja në doganë / Takim institucional për Kakavijen dhe shmangien e radhëve!

Pika e Kalimit Kufitar të Kakavijës ka qenë në qendër të një takimi pune, me pjesëmarrjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, kryetarit të Bashkisë së Dropullit, Dhimitraq Toli, drejtuesve të Policisë Kufitare, Doganës dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Altin Merizaj, si dhe prefektores së Qarkut të Gjirokastrës, znj. Hasanaj.
Në fokus të diskutimeve ishte rritja e bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve shqiptare dhe autoriteteve homologe greke, me synim përmirësimin e menaxhimit të fluksit të lëvizjes në pikën kufitare.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përshpejtimit të procedurave të kontrollit, reduktimit të kohës së pritjes dhe lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Përmes një koordinimi më të mirë ndërinstitucional, synohet ofrimi i një shërbimi kufitar më cilësor, efikas dhe në funksion të qytetarëve e udhëtarëve.


