"Në Shqipëri ndihem si në shtëpi", humbi mbi 200 kg, braziliani merr pjesë në Maratonën e Tiranës

Aktualitet

"Në Shqipëri ndihem si në shtëpi", humbi mbi 200
Braziliani Júlio Mamute e ka kthyer betejën personale kundër obezitetit në një udhëtim të ripërtëritjes, shpresës dhe solidaritetit.

Ditët e fundit ai ndodhej në Shqipëri si pjesëmarrës në Maratonën e Tiranës.

Në një rrëfim për ATSH-në, Mamute tregon se për vite me radhë obeziteti i kishte marrë mundësinë për të jetuar jetën që dëshironte, për të krijuar familje dhe për të pasur fëmijë.

“Gjithmonë kam ëndërruar të kem fëmijë dhe të ndërtoj një familje. Obeziteti ma vodhi këtë. Isha në një shtrat, me mbi 310 kg, duke parë jetën të kalonte para meje”, shprehet ai.

Një ngjarje familjare do të shënonte pikën e kthesës në jetën e tij. Më 13 nëntor, në ditëlindjen e tij, lindi nipi i parë, pikërisht në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë me të.

“Statistika nuk e shpjegon dot këtë. Nuk arrij ta shoh ndryshe: mund ta kuptoj vetëm si një mesazh nga Zoti, që më thoshte se jeta ende ia vlente”, shprehet Mamute.

Pak ditë më vonë, teksa përpiqej t’i çonte një dhuratë nipit, nuk mundi të mbërrinte deri tek ai, edhe pse mbështetej te bastuni. Kjo përvojë e shtyu të regjistrohej në not, duke nisur kështu rrugën e gjatë të ndryshimit.

“Fillova nga uji, sepse jashtë tij trupi im nuk e mbante dot peshën e vet. Notoja dy herë në ditë, 50 minuta në mëngjes dhe 50 në fillim të mbrëmjes. Noti më shpëtoi jetën, pjesa më e madhe e peshës që humba mbeti në pishinë”, tregon ai.

Pas notit, në këtë rrugëtim u përfshinë palestra dhe më vonë ecja e vrapimi. Ai tregon se kishte provuar edhe zgjidhje të tjera, përfshirë vendosjen e një baloni gastrik, por përvoja nuk kishte rezultuar e suksesshme.

Sot, Mamute udhëton në vende të ndryshme, merr pjesë në gara dhe ka realizuar edhe një nga ëndrrat e babait të tij, ngjitjen në Murin e Madh Kinez.

“Më parë nuk bëja dot as dy hapa. Isha peng i trupit tim, në një dhomë të errët, me dritare të mbyllura. Sot udhëtoj nëpër botë, marr pjesë në gara në shumë vende dhe u ngjita në Murin e Madh Kinez, që ishte ëndrra e babait tim”, rrëfen ai.

Mbërritja në Shqipëri ka një domethënie të veçantë për brazilianin. Një studim gjenealogjik i kryer prej tij zbuloi se një pjesë e të parëve të familjes vinin nga rajoni i Ballkanit, duke e kthyer vizitën në një përvojë përtej turizmit.

“Për mua kjo ia ndryshoi kuptimin udhëtimit: nuk erdha si turist, erdha si dikush që rikthehet te rrënjët e tij. Jam brazilian, nga Recife, por një pjesë e historisë sime ka nisur në këtë rajon, shumë përpara meje”, thotë ai.

“Shqipëria po më magjeps. Sot jam këtu, i magjepsur nga bukuritë dhe nga një popull mikpritës e zemërgjerë. Në pak ditë ndiej një paqe dhe një lidhje me këtë tokë që nuk e prisja. Gjuha është ende shumë e largët për mua, por mikpritjen e kuptoj pa përkthim”, shprehet ai.

Mamute mori pjesë edhe në Maratonën e Tiranës, ditën e diel nga ku u shpreh se vetë historia e transformimit të tij mund të shërbejë si frymëzim për shumë të rinj të tjerë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion