Nami në fushë, si kurrë më parë sherri i të rinjve përfundon me 51 kartona të kuq

Një rekord i pabesueshëm dhe skena kaosi që kanë tronditur futbollin brazilian. Një ndeshje e kampionatit të të rinjve U-20 përfundoi me plot 51 kartona të kuq, duke thyer rekordin e mëparshëm botëror për numrin e përjashtimeve në një takim futbolli.
Përballja mes Uberlandia dhe MamorE ishte 3-1 për miqtë, kur gjithçka doli jashtë kontrollit, shkruan A2. Shkëndija shpërtheu pas golit të tretë të Mamore, në minutat e fundit të takimit. Një përplasje mes lojtarëve u shndërrua në një konflikt masiv, ku u përfshinë futbollistë, zëvendësues dhe pjesëtarë të stafeve teknike.
Arbitri u detyrua të nxirrte plot 51 kartonë të kuq: 43 për futbollistë dhe tetë për pjesëtarë të stafit teknik.
Sipas raportimeve, përplasjet vazhduan për rreth 40 minuta dhe në stadium u desh edhe ndërhyrja e policisë ushtarake.
Takimi nuk rifilloi më dhe rezultati 3-1 mbeti në fuqi.
Një rekord i turpshëm për futbollin, që rikthen në vëmendje se sa e rëndësishme është të ruhet kontrolli dhe siguria në fushë.


