Rënia e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, ekspertët parashikojnë reflektim të çmimeve edhe në Shqipëri

Aktualitet

Rënia e çmimit të naftës në bursat
Rënia e çmimit të naftës nën 100 dollarë për fuçi pritet të japë efekte pozitive në ekonominë globale dhe atë shqiptare, duke ndikuar në uljen e presioneve inflacioniste.

Megjithatë, sipas ekspertit të ekonomisë Artur Ribaj, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe rritja sezonale e konsumit gjatë dimrit mbeten faktorë që mund të ndikojnë në ecurinë e mëtejshme të çmimeve.

Në një intervistë për “Money Report”, Ribaj vlerëson se stabilizimi i çmimit të naftës dhe mungesa e përshkallëzimeve të mëtejshme të konfliktit me Iranin janë sinjale pozitive, ndërsa për Shqipërinë ndikim pritet të ketë edhe paketa fiskale.

Sa i përket politikës monetare, eksperti shprehet se në kushtet aktuale nuk shihet e nevojshme një rritje e mëtejshme e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë.

“Tregjet bashkëveprojnë sipas mesazheve që marrin. Mesazhi që u dha nga zgjedhjet në Amerikë kishte të bënte me rritjen e çmimeve. Mund të ndodhë që të kemi përshkallëzime të mëtejshme, megjithatë ka pasur një efekt pozitiv që nuk janë ndërmarrë sulme të tjera ndaj Iranit. Ulja e çmimit të naftës ndihmon ekonominë globale.

Koha dhe stina e dimrit do të rrisin vetë konsumin e naftës dhe, për këtë shkak, do të ketë rritje të nevojës për konsum dhe, për pasojë, edhe rritje të inflacionit. Banka Qendrore e Ekonomisë është munduar që ta mbajë këtë normë të qëndrueshme. Çmimet e naftës do të ndikojnë në nivelet e inflacionit.

Jemi në situatat ku njerëzit po konsumojnë gjithnjë e më shumë. Rritja e normës së interesit nga Banka Qendrore të Ekonomisë nuk ka dhënë efektin e dëshiruar. Rënia e çmimit të naftës pritet që të ndikojë në Shqipëri. Për më tepër, do të jetë edhe paketa fiskale, e cila do të ulë çmimin e naftës në pompa, por do të shtojë taksën e automjetit. Jemi një ekonomi e hapur dhe shumë e lidhur dhe do të ketë efekt.

Do të ketë kohë për të mos ndryshuar në një të ardhme të afërt normën e interesit. Do të ishte mirë që të vazhdonte ende. Nuk mendoj që do të kemi nevojën për një politikë shtrënguese në këto momente”, tha eksperti i ekonomisë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion