Qëndrimi i kryeministrit për protestat, Rama kërkon ndërhyrje ndaj dhu'nës dhe verifikim të veprimeve të policisë

Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, mbajtën këtë të enjte një konferencë të përbashkët për mediat, një ditë pas publikimit të progresraportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te pjesa e raportit që trajton protestat e muajve të fundit në vend.
Kryeministri tha se raporti evidenton dhunën gjatë protestave, por përmend edhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia. Ai nënvizoi se e drejta për protestë duhet të garantohet gjithmonë, dhuna duhet të ndëshkohet moralisht dhe ligjërisht, ndërsa çdo pretendim për tejkalim të forcës nga autoritetet shtetërore duhet të shqyrtohet.
“Raporti trajton dhe protestat e muajve të fundit, duke vendosur gishtin mbi plagën e dhunës, por duke cituar dhe pretendimet për përdorimin e forcës nga policia, ndërkohë që nënvizohet se dialogu është rruga ku të gjithë duhet të angazhohemi seriozisht. Asnjë konstatim i raportit nuk duhet të anashkalohet. E drejta për protestë duhet garantuar gjithmonë, dhuna duhet ndëshkuar moralisht dhe ligjërisht dhe çdo pretendim për tejkalim të forcës nga autoriteti shtetëror duhet shqyrtuar”, tha Rama.
Ai shtoi se shumica qeverisëse ka një përgjegjësi të veçantë për të mundësuar dialogun, veçanërisht me pjesët e shoqërisë që kanë mendime të ndryshme.
“Ne, shumica qeverisëse, kemi përgjegjësinë e veçantë për të mundësuar dialogun, sidomos me pjesë të shoqërisë që mendojnë ndryshe nga ne”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se progresi i vendit dhe problemet me të cilat përballet duhet të shihen njëkohësisht, pa lejuar që njëra të mbulojë tjetrën.
“Problemet reale nuk duhet të na pengojnë për progresin real dhe, nga progresi, nuk duhet të na mbyllen sytë për problemet”, tha ai.


