Lituania hap rrugën për armë bërthamore në territorin e saj, Moska paralajmëron përshkallëzim

Bota

Lituania hap rrugën për armë bërthamore në territorin e

Lituania ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt heqjes së ndalimit kushtetues për armët bërthamore në territorin e saj, në një kohë kur vendet europiane po diskutojnë forcimin e parandalimit të NATO-s përballë Rusisë.

Parlamenti i Lituanisë, Seimas, votoi të martën me 106 vota pro, 18 kundër dhe 6 abstenime për avancimin e një amendamenti kushtetues që heq dispozitën që ndalon armët e shkatërrimit në masë dhe bazat ushtarake të huaja në territorin lituanez.

Ndryshimi duhet të votohet edhe një herë pas një periudhe pritjeje prej tre muajsh, siç përcaktohet nga Kushtetuta. Për miratimin e tij nevojiten të paktën 94 vota nga 141 anëtarët e parlamentit në të dyja votimet. Votimi përfundimtar pritet të zhvillohet më 12 janar.

“Ky amendament kushtetues do t’u mundësonte forcave të armatosura të Lituanisë të merrnin pjesë plotësisht në planifikimin dhe stërvitjet e të gjitha masave parandaluese të NATO-s”, deklaroi Viktorija Čmilytė-Nielsen, drejtuesja e grupit parlamentar të Lëvizjes Liberale.

Neni 137 i Kushtetutës së Lituanisë përcakton aktualisht se armët e shkatërrimit në masë dhe bazat ushtarake të shteteve të huaja nuk mund të vendosen në territorin e vendit.

Lituania kufizohet me Bjellorusinë dhe me enklavën ruse të Kaliningradit, duke e bërë pozicionin e saj veçanërisht të ndjeshëm në aspektin e sigurisë.

Mbështetësit e ndryshimit argumentojnë se dispozita kushtetuese përbën një pengesë ligjore për pjesëmarrjen e plotë të vendit në mekanizmat e parandalimit bërthamor të NATO-s.

“Vendet tona fqinje, si Letonia, Estonia dhe Polonia, nuk kanë kufizime të tilla. Ne nuk mund të jemi më pak të mbrojtur se vendet e tjera të NATO-s. Duhet të japim një sinjal se Lituania është pjesë e plotë e parandalimit bërthamor të NATO-s”, deklaroi Remigijus Motuzas, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të parlamentit lituanez.

NATO e konsideron parandalimin bërthamor një komponent të mbrojtjes kolektive, krahas kapaciteteve konvencionale dhe mbrojtjes kundër raketave. Aleanca thekson gjithashtu se politika e saj bërthamore është në përputhje me angazhimet për kontrollin e armëve, çarmatimin dhe mospërhapjen.

Kremlini ka reaguar ndaj nismës së Vilniusit. Zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov, deklaroi se heqja e kufizimit për armët bërthamore, e kombinuar me planet për zgjerimin e infrastrukturës ushtarake amerikane dhe të NATO-s në rajon, rrezikon të shkaktojë një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.

Paralajmërimet e Moskës vijnë në një periudhë kur retorika bërthamore e Rusisë ndaj NATO-s është intensifikuar.

Moska ka kërcënuar së fundmi me kundërpërgjigje bërthamore në rast të asaj që e konsideron si përpjekje për izolimin e enklavës së Kaliningradit, e cila kufizohet me Lituaninë dhe Poloninë.

Lituania nuk është vendi i vetëm që ka ndërmarrë hapa të tillë. Finlanda, e cila iu bashkua NATO-s në vitin 2023 pas dekadash mosangazhimi ushtarak, hoqi këtë vit ndalimin ligjor për armët bërthamore, duke argumentuar se legjislacioni i saj nuk duhet të kufizojë përmbushjen e detyrimeve si anëtare e Aleancës.

Në qershor, parlamenti finlandez miratoi ndryshimet në Ligjin për Energjinë Bërthamore, duke hequr ndalimin për eksplozivët bërthamorë. Ligji hyri në fuqi më 1 korrik.

“Ky reformim historik forcon sigurinë e Finlandës dhe të NATO-s në tërësi”, deklaroi ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Häkkänen.

Megjithatë, Helsinki ka theksuar se ndryshimi ligjor nuk do të thotë se Finlanda synon të blejë apo të presë armë bërthamore dhe se NATO nuk ka plane për vendosjen e tyre në territorin finlandez.

Finlanda i është bashkuar gjithashtu një nisme të udhëhequr nga Franca për forcimin e sigurisë europiane përmes bashkëpunimit më të ngushtë në fushën e parandalimit bërthamor.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar të ashtuquajturin “parandalim i avancuar”, që synon bashkëpunim më të madh me aleatët europianë rreth kapaciteteve të pavarura bërthamore të Francës.

Në këtë nismë janë bashkuar tashmë Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Polonia, Suedia, Holanda, Belgjika, Greqia, Danimarka dhe Norvegjia.

ME TE LEXUARAT