Kaos në Francë, qindra mijëra nxënës në protesta, përplasje me policinë

Mijëra nxënës, studentë, prindër dhe mësues kanë protestuar të martën në qytete të ndryshme të Francës, duke kërkuar më shumë fonde për arsimin dhe përmirësimin e kushteve në shkolla.
Sipas organizatës së nxënësve, në protestat mbarëkombëtare morën pjesë rreth 450 mijë persona, prej të cilëve 100 mijë në Paris. Autoritetet franceze japin një shifër më të ulët, por gjithsesi masive, prej mbi 250 mijë protestuesish, përfshirë rreth 56 mijë në kryeqytet.

Protestave iu bashkuan edhe sindikata më e madhe e vendit, Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve, ndërsa demonstratat u zhvilluan nën një prani të shtuar policore.
Në disa qytete, mes tyre Lille, Lyon, Strasbourg dhe Rennes, pati përplasje mes protestuesve dhe policisë. Në Paris, forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës ndaj protestuesve që kishin bllokuar disa shkolla.

Në qendër të protestave janë kërkesat për rritjen e financimit të arsimit dhe përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore. Ministria franceze e Arsimit vlerëson se rreth 900 shkolla janë të bllokuara ose kanë pezulluar mësimin, ndërsa organizatat e nxënësve pretendojnë se numri i tyre kalon 2 mijë.
Kryeministri francez Sebastien Lecornu i dënoi trazirat gjatë një seance në Asamblenë Kombëtare dhe akuzoi të majtën radikale se po përpiqet ta zhysë vendin në kaos përpara zgjedhjeve presidenciale të prillit-majit.

Mbi 6 mijë të ndaluar
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, që prej nisjes së protestave policia ka kryer rreth 6,100 ndalime, pjesa dërrmuese e të cilëve janë të mitur.
Ministria e Drejtësisë thotë se ndaj më shumë se 1,800 personave janë ndërmarrë procedime, përfshirë 1,483 të mitur.
Në përplasjet e deritanishme raportohet se janë plagosur të paktën 715 efektivë policie dhe 215 adoleshentë, sipas zyrës së kryeministrit Lecornu.
Protestat nisën në shtator në zonat periferike të Parisit dhe më pas u përhapën në qytete të tjera të Francës, duke u shndërruar në një sfidë të rëndësishme për qeverinë franceze në një periudhë presioni ekonomik dhe kufizimesh buxhetore.


