Hendeku gjinor në punësim/ Dibra, Elbasani dhe Vlora, me diferencat më të mëdha

Aktualitet

Hendeku gjinor në punësim/ Dibra, Elbasani dhe Vlora, me diferencat

Në vitin 2025, shkalla e punësimit në Bashkimin Europian për burrat e moshës 20–64 vjeç ishte 80.9%, ndërsa për gratë arriti në 71.2%. Kjo diferencë rezultoi në një hendek gjinor në punësim prej 9.7 pikësh përqindjeje, duke treguar se pjesëmarrja e burrave në tregun e punës vijon të jetë më e lartë se ajo e grave.

Situata në Shqipëri paraqitet me një diferencë edhe më të theksuar. Për grupmoshën 20–64 vjeç, shkalla e punësimit të meshkujve arrin në 89.1%, kundrejt 75.7% për femrat, duke e çuar hendekun gjinor në 13.4 pikë përqindjeje. Kjo do të thotë se diferenca mes dy gjinive në Shqipëri është 3.7 pikë përqindjeje më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.

Megjithatë, në krahasim me disa vende të rajonit, Shqipëria paraqitet me një hendek gjinor më të ulët. Në Maqedoninë e Veriut diferenca mes shkallës së punësimit të burrave dhe grave arrin në 18.7 pikë përqindjeje, ndërsa në Bosnje Hercegovinë është edhe më e lartë, në 28.3 pikë përqindjeje. Këto shifra tregojnë se pabarazitë gjinore në tregun e punës mbeten një sfidë e rëndësishme në rajon.

Brenda Shqipërisë, hendeku gjinor në punësim shfaq diferenca të konsiderueshme edhe sipas qarqeve. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025, në të gjitha qarqet shkalla e punësimit të meshkujve është më e lartë se ajo e femrave.

Dibra regjistron diferencën më të madhe, me 22.8 pikë përqindjeje, pasi punësimi i meshkujve arrin në 70%, ndërsa ai i femrave në 47.2%. Pas saj renditen Elbasani, me 17.2 pikë përqindjeje, dhe Vlora, me 16.6 pikë përqindjeje.

Në anën tjetër, Kukësi shënon hendekun më të ulët gjinor, me 8.6 pikë përqindjeje, i ndjekur nga Durrësi me 9.5 pikë përqindjeje dhe Korça me 10.1 pikë përqindjeje.

Ndërkohë, në nivel europian, diferencat më të mëdha gjinore në punësim shfaqen kryesisht në rajonet e Europës Jugore dhe Lindore. Në vitin 2025, gjithsej 26 rajone të Bashkimit Europian regjistruan hendek gjinor prej të paktën 18 pikësh përqindjeje. Mes tyre përfshihen 10 nga 13 rajonet e Greqisë, 8 nga 21 rajonet e Italisë dhe 5 nga 8 rajonet e Rumanisë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion