Lajm i mirë, Shqipëria dhe Kosova bashkojnë shërbimet shëndetësore, diskutohet zgjerimi i bashkëpunimit

Aktualitet

Lajm i mirë, Shqipëria dhe Kosova bashkojnë shërbimet
Shqipëria dhe Kosova po diskutojnë zgjerimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët në të dyja anët e kufirit, me synimin që trajtimet mjekësore të ofrohen sa më pranë vendbanimit.

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, gjatë një vizite në Spitalin e Gjakovës, ku u takua me homologun e saj kosovar, Arben Vitia, foli për nevojën e forcimit të kapaciteteve spitalore në Shqipëri, duke përmendur konkretisht shërbimin e dializës në spitalin e Kukësit.

Aktualisht, në bazë të një marrëveshjeje mes dy vendeve, pacientët nga zonat kufitare të Shqipërisë mund të marrin shërbime mjekësore në spitalet e Kosovës. Spahiu falënderoi personelin mjekësor kosovar për kujdesin ndaj pacientëve nga Tropoja, Hasi dhe Kruma, ndërsa theksoi se edhe spitalet shqiptare duhet të forcojnë kapacitetet e tyre për të ofruar shërbime në mënyrë të ndërsjellë.
 
“Unë kam bërë një vizitë kohët e fundit në spitalin e Kukësit dhe në spitalin ditor të Hasit, kam parë aty nevojat që ato kanë dhe për këtë ju jam shumë mirënjohëse që ju keni realizuar që ato shërbimet e munguara që janë atje të merren në mënyrë të përkryer në spitalin e Gjakovës, të Prizrenit dhe në spitalin universitar të Prishtinës dhe ndoshta është momenti që edhe ne të forcojmë kapacitetet tona në disa shërbime, si për shembull shërbimin e dializës, në mënyrë që edhe ata pacientë që vijnë këtu ta marrin shërbimin në spitalin e Kukësit dhe anasjelltas”, tha Spahiu.

Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, tha se dy vendet kanë rënë dakord të nisin sa më shpejt punën për marrëveshje konkrete, që do të zgjerojnë mundësitë e trajtimit për pacientët shqiptarë dhe kosovarë.
 
“Pres me padurim që përtej pjesës së shërbimeve të kemi edhe marrëveshje konkrete në të cilat u dakorduam që sa më shpejt të fillojmë dhe të punojmë në to, në mënyrë që këto marrëveshje t’ju shërbejnë sa më mirë qytetarëve shqiptarë në të dyja anët e kufirit”, u shpreh Vitia.
Gjatë takimit u diskutua edhe shkëmbimi i përvojave mes personelit mjekësor dhe zgjerimi i shërbimeve të specializuara, në mënyrë që pacientët të kenë më shumë mundësi trajtimi pa qenë nevoja të udhëtojnë larg vendbanimit.

Vizita në Kosovë ishte e para zyrtare jashtë vendit për Spahiun si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion