Veliaj: S’i besoj Ramës nën narkozë, në lojë është jeta ime, Kryeministri vendosi që të operohet në Fier

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj qëndron në paraburgim prej shkurtit 2025, teksa javët e fundit u zhvendos nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, nga ku nisën përplasjet edhe me kryeministrin Edi Rama.
Veliaj pretendon se ky është një “internim politik”, ndërsa ai prej muajsh kërkon një operacion për këmbën e dëmtuar gjatë një ndeshje në burg.
Drejtoria e Burgjeve ka vendosur që Veliaj të operohet nesër në Spitalin Memorial të Fierit, ndërsa kryebashkiaku ka bërë kërkesë në GJKKO duke refuzuar dhe kërkuar që të operohet në një spital privat në Tiranë, i zgjedhur nga familja e tij.
Në reagimin e fundit, Veliaj thotë se spitalin Memorial për operacionin e tij e zgjodhi kryeministri Rama, që sipas tij është ai që e “internoi” në burgun e Fierit.
“Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?”, shkruan Veliaj.
Reagimi i Veliajt:
E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar.
Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?
Që të premten në mëngjes i jam drejtuar GJKKO-së për të garantuar vlerësimin nga mjeku i zgjedhur prej meje dhe operimin në spitalin që zgjedh familja ime.
Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time!


