“Kush është kundër, të japë dorëheqjen”, Vuçiç u bën presion zyrtarëve për hotelin e Trump në Beograd

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u ka bërë personalisht presion zyrtarëve shtetërorë për të lejuar ndërtimin e një hoteli të lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump, në vendin ku ndodhet ish-kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm në Beograd. Sipas dokumenteve dhe dëshmive të siguruara nga gazeta britanike “Financial Times”, Vuçiç i ka quajtur të paditur zyrtarët që kundërshtonin heqjen e statusit të mbrojtjes së kompleksit dhe u ka kërkuar të japin dorëheqjen.
Gazeta britanike ka siguruar kontratën e plotë të investimit, e cila nuk ishte publikuar më parë, si dhe dëshminë e një prej personave kryesorë të përfshirë në këtë çështje. Dokumentet tregojnë se si autoritetet e atëhershme serbe u përpoqën të hiqnin pengesat ligjore për projektin e mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump.
Projekti parashikonte shembjen dhe rindërtimin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm, i dëmtuar gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Çështja u kthye në një nga temat e protestave studentore kundër qeverisë së Vuçiç dhe, sipas Financial Times, ndikoi edhe në humbjen e tij në zgjedhjet e muajit të kaluar.
“Na quajti të paditur dhe na kërkoi dorëheqjen”
Dubravka Gjukanoviç, ish-drejtoreshë e Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Serbi, ka rrëfyer para prokurorëve takimin që zhvilloi me Vuçiç në pallatin presidencial.
Në dëshminë e dhënë vitin e kaluar para Prokurorisë Publike për Krimin e Organizuar, të cilën e ka siguruar Financial Times, ajo ka deklaruar se Vuçiç e kishte quajtur atë dhe kolegët e saj të paditur, duke u kërkuar të merrnin përgjegjësinë për realizimin e projektit.
Ish-presidenti këmbëngulte veçanërisht që kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm t'i hiqej statusi i monumentit të mbrojtur të kulturës.
“Nuk është e këndshme kur dikush, edhe nëse është shteti, të vendos në një situatë ku duhet të vendosësh për shembjen e diçkaje që je i detyruar ta mbrosh”, ka deklaruar Gjukanoviç.
Ajo i ka thënë gazetës britanike se ajo që e shqetësonte më shumë ishte fakti që presidenti ose nuk e njihte procedurën ligjore, ose nuk i interesonte ajo.
“Takimi përfundoi me fjalët se të gjithë ata që nuk ishin të gatshëm të mbështesnin projektin duhet të jepnin dorëheqjen”, ka treguar ajo.
Sipas Gjukanoviç, ministri i atëhershëm i Financave, Sinisha Mali, përsëriti të njëjtën kërkesë në një nga takimet e mëvonshme. Pas këtyre zhvillimeve, ajo dhe një koleg i saj dhanë dorëheqjen.
Kontrata zbulon çfarë i premtoi qeveria e Vuçiç dhëndrit të Trump
Sipas Financial Times, qeveria e Vuçiç dhe investitorët amerikanë të lidhur me Kushner kishin bashkëpunuar për më shumë se një vit, pavarësisht problemeve ligjore gjithnjë e më serioze.
Serbia e ka ndërprerë zyrtarisht këtë javë marrëveshjen e investimit me kompaninë amerikane Atlantic Incubation Partners (AIP), të mbështetur nga Kushner. Projekti ishte pezulluar më parë, pas nisjes së procedimeve penale ndaj zyrtarëve serbë.
Kontrata ishte nënshkruar në maj 2024 dhe, sipas dokumentit të shqyrtuar nga Financial Times, realizimi i projektit varej shprehimisht nga heqja paraprake e statusit të monumentit të kulturës për ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm.
Historiani serb Nenad Leibenšperger, i cili ka studiuar historinë e kompleksit, beson se Vuçiç duhej ta bindte Kushner se të gjitha pengesat ligjore do të hiqeshin përpara nisjes së punimeve.
“Qeveria e dinte që ndërtesa ishte e mbrojtur, por megjithatë synonte ta realizonte projektin, edhe pse kjo ishte e paligjshme”, ka deklaruar historiani.
Gjukanoviç pretendon se, sipas rregullave që ishin në fuqi në atë kohë, nuk ekzistonte mundësia e heqjes së mbrojtjes së Shtabit të Përgjithshëm, përveç rastit kur kompleksi do të ishte shkatërruar plotësisht.
“Arkitekti nuk e dinte që ndërtesa ishte monument kulture”
Sipas ish-drejtoreshës së Institutit, investitorët amerikanë nuk kishin treguar që në fillim interes për ruajtjen e kompleksit historik.
“Që në kontaktin tim të parë me arkitektin, e kuptova se ai nuk e dinte fare që kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm ishte monument kulture”, ka deklaruar Gjukanoviç.
Ajo ka shtuar se projekti ishte përgatitur shumë përpara takimit me përfaqësuesit e institucioneve dhe se asgjë nuk ndryshoi pas diskutimeve me ta. Për këtë arsye, ajo e ka përshkruar të gjithë takimin si një “farsë”.
Projektin fillestar të hotelit e kishte hartuar Brian Vargo, një nga drejtuesit e kompanisë LIVWRK me seli në Nju Jork, e cila kishte bashkëpunuar me Kushner në të paktën dy projekte në Bruklin.
Vargo nuk iu përgjigj kërkesës së Financial Times për koment.
Si nisi bashkëpunimi mes Vuçiç dhe Kushner?
Kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm, i përfunduar në vitin 1965, konsiderohet një nga shembujt më të rëndësishëm të arkitekturës moderniste jugosllave.
Një pjesë e ndërtesës u shkatërrua gjatë bombardimeve të NATO-s në Beograd në vitin 1999, pas të cilave kompleksi mori një kuptim të veçantë simbolik.
Sipas deklaratave të mëparshme të Vuçiç, bisedimet e para për të ardhmen e kësaj zone u zhvilluan në vitin 2020 me Richard Grenell, të dërguarin e Donald Trump.
Vuçiç kishte deklaruar në atë kohë se projekti duhej të realizohej duke respektuar statusin e veçantë të kompleksit si monument kulture. Grenell nuk pranoi të komentonte pretendimet e Financial Times.
Projekti mori hov pas një takimi mes Kushner dhe Vuçiç në vitin 2023, gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Gjatë vitit pasues, Vuçiç dhe ministri i Financave, Sinisha Mali, zhvilluan disa takime me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse.
Sipas dëshmisë së Gjukanoviç, ata u kërkuan zyrtarëve të nisnin procedurën për heqjen e mbrojtjes së Shtabit të Përgjithshëm.
“Në takim, çështja u paraqit si një zgjedhje: ose të nisnim procedurën për heqjen e mbrojtjes, ose të paraqisnim dorëheqjen”, ka deklaruar ajo.
As Vuçiç dhe as Mali nuk iu përgjigjën kërkesave të Financial Times për koment.
Akuzat ndaj ish-ministrit të Kulturës dhe drejtuesit të Institutit
Çështja e Shtabit të Përgjithshëm i dha një tjetër shtysë protestave studentore që tronditën Serbinë që nga fundi i vitit 2024.
Pavarësisht kundërshtimeve publike, Partia Progresive Serbe e Vuçiç miratoi në nëntor 2025 një ligj të posaçëm që i hoqi kompleksit statusin e monumentit të mbrojtur.
Një muaj më vonë, ministri i atëhershëm i Kulturës, Nikola Selakoviç, u akuzua për shpërdorim detyre.
Prokuroria ngriti akuza edhe ndaj Goran Vasiç, i cili pasoi Gjukanoviç në drejtimin e Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës.
Ai dyshohet se falsifikoi dokumente për të justifikuar heqjen e mbrojtjes së Shtabit të Përgjithshëm.
Pas ngritjes së akuzave, Kushner u tërhoq nga projekti.
Një zëdhënës i kompanisë Atlantic i tha Financial Times se investitorët kishin synuar të krijonin një destinacion prestigjioz, që njëkohësisht do të respektonte historinë e Beogradit dhe do të kontribuonte në zhvillimin e qytetit.
“Ishim krenarë për projektin dhe ndikimin e tij të mundshëm pozitiv. Megjithatë, me ndryshimin e rrethanave, arritëm në përfundimin se projekti nuk mund ta përmbushte më qëllimin e tij fillestar dhe vendosëm të tërhiqeshim në nëntor 2025”, deklaroi kompania.
Selakoviç dhe Vasiç i mohojnë akuzat dhe mbrohen në gjendje të lirë. Avokatët e tyre i referohen ligjit të posaçëm që hoqi mbrojtjen e kompleksit vitin e kaluar.
Prokuroria, megjithatë, pretendon se veprat penale janë kryer që në korrik 2024, kur Shtabi i Përgjithshëm gëzonte ende statusin e monumentit të mbrojtur.
Sipas aktakuzës, Selakoviç kishte thirrur atëherë Vasiç dhe zyrtarë të tjerë në zyrën e tij, duke u kërkuar të paraqisnin brenda ditës një propozim për heqjen e mbrojtjes.
Prokurorët besojnë se ai e dinte që nuk kishte kompetencën ligjore për ta bërë një kërkesë të tillë dhe se kushtet e përcaktuara nga ligji nuk ishin përmbushur.
Amerikanët do ta merrnin projektin pa tender publik
Një nga pjesët e investigimit të Financial Times lidhet me kushtet e marrëveshjes së investimit të vitit 2024.
Sipas dokumentit, qeveria e Vuçiç dhe kompania e Kushner, Atlantic Incubation Partners, kishin rënë dakord të krijonin një kompani të përbashkët në Beograd.
Investitori amerikan më pas do t'ia transferonte pjesëmarrjen e tij një kompanie të lidhur me të në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kjo kompani do të mbante kontrollin operacional dhe financiar mbi projektin.
Kontrata parashikonte që Atlantic të merrte të drejtën e realizimit të projektit pa tender publik dhe pa detyrimin për të respektuar kufizimet që rridhnin nga statusi i monumentit të kulturës.
Sipas Financial Times, një marrëveshje e tillë do t'u siguronte investitorëve fitim më të lartë dhe një rrugë më të thjeshtë drejt marrjes së mundshme të pronësisë.
Gazeta britanike shkruan se çështja e Shtabit të Përgjithshëm ngre edhe pyetje më të gjera për interesat e biznesit të personave të afërt me Donald Trump në Ballkan.
Gazeta britanike shkruan se afera e Shtabit të Përgjithshëm ngre një çështje më të gjerë, atë të interesave të biznesit të njerëzve të afërt me Trump në Ballkan, që shtrihen nga projektet energjetike në Bosnjë dhe Hercegovinë deri te investimet e diskutueshme në ndërtim në bregdetin shqiptar
Studentët kërkojnë procedim penal ndaj Vuçiç
Lista Studentore fitoi bindshëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvilluara muajin e kaluar në Serbi, duke premtuar hetime për skandalet e korrupsionit të qeverisë së mëparshme.
Pas publikimit të të dhënave për çështjen e Shtabit të Përgjithshëm, studentët kanë kërkuar nisjen e procedimit penal ndaj ish-presidentit.
“Provat që tashmë janë pjesë e çështjes së Shtabit të Përgjithshëm duhet të çojnë në nisjen e procedimit penal ndaj Aleksandar Vuçiç për vepra që dënohen me një deri në tetë vite burg”, ka deklaruar Lista Studentore.
Seanca e parë gjyqësore pas zgjedhjeve është caktuar për të hënën. Pritet të paraqiten prova të reja dhe të dëgjohen dëshmitarë.
Vuçiç dha dorëheqjen në shtator, duke çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ai tentoi të rikthehej në pushtet si kryeministër, por partia e tij u mund.
Financial Times shkruan se humbja në zgjedhje ka përshpejtuar dobësimin e rrjetit politik që Vuçiç kishte ndërtuar ndër vite.
Si shembuj, gazeta përmend mbylljen e Alta Bank, të cilën e lidh me ish-regjimin, si dhe arrestimin e pronarit të saj dhe të zyrtarëve të policisë të lidhur me qeverinë e mëparshme.
Vuçiç: Doja të hiqja atë shëmti nga qendra e Beogradit
Vetë Vuçiç nuk e ka mohuar se ka punuar për realizimin e projektit të Shtabit të Përgjithshëm dhe as se u ka kërkuar zyrtarëve shtetërorë ta zbatonin atë.
Ai mendon se një përfshirje e tillë e presidentit të shtetit nuk është diçka e pazakontë.
Në një intervistë për Kurir TV, një javë përpara zgjedhjeve, Vuçiç u ankua për kritikat që kishte marrë për përpjekjen për të sjellë investitorin amerikan.
“Më akuzojnë se jam përpjekur të sjell një investitor, Kushner, për ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm”, deklaroi ai.
Ish-presidenti shpjegoi se synimi i tij ishte të largonte rrënojat nga qendra e Beogradit, të përmirësonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tërhiqte më shumë turistë.
“Doja të bëja diçka për Beogradin, të hiqja ato rrënoja, atë shëmti, të ndërtoja marrëdhëniet më të mira të mundshme me amerikanët dhe të krijoja një destinacion të nivelit të lartë që do të tërhiqte edhe më shumë turistë”, deklaroi Vuçiç./Index/


