Krimet mjedisore në Vjosë, gjykata cakton “detyrim paraqitje” për Lorenc Bamin

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër la në masën e sigurisë 'detyrim paraqitjeje’, Lorenc Bamin, ish shefin e Urbanistikës në Bashkinë Tepelenë, për dëmtimin e habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore.
E njëjta masë sigurie u dha dhe për Andi Hasanin, manovrator pranë Ujësjellës-Kanalizimeve.
Lorenc Bami, i njohur si një prej njerëzve të afërt të Termet Pecit gjatë kohës kur ky i fundit drejtonte Bashkinë Tepelenë, është i njëjti person që është përmendur në emisionin investigativ “Plug”, lidhur me tenderat e kësaj bashkie.
Aktualisht, Lorenc Bami rezulton të jetë nënkontraktor në projektin e ujësjellësit të Memaliajt, një projekt që perfundoi në SPAK. Ndërsa Andi Hasani, 49 vjeç, i proceduar penalisht në të njëjtën çështje, punon si manovrator pranë Ujësjellës-Kanalizimeve.
Njoftimi i Policisë:
Në Memaliaj është arrestuar shtetasi L. B., 44 vjeç, banues në Tepelenë, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë shtetasi A. H., 49 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.
Sipas Policisë, këta shtetas, ditën e djeshme, në fshatin Vasjar, në vendin e quajtur “Gallaticë”, janë konstatuar duke gërryer shtratin e lumit Vjosa me një mjet të rëndë (skrep).


