Vr'asja që tronditi Athinën, arrestohet në Qipro i dyshuari, zbulohet si u lokalizua kinezi

Bota

Vr'asja që tronditi Athinën, arrestohet në Qipro i dyshuari,
Autoritetet greke kanë vënë në pranga një prej personave të dyshuar për vrasjen e Vangelis Zambounis, i njohur në botën e krimit me nofkën “Zambon”, i cili u ekzekutua në janar të vitit 2024, pranë një pike karburanti që zotëronte në lagjen Neos Kosmos të Athinës.

I arrestuari është 43-vjeçari rus Aleksei Shopka, i njohur me nofkën “Kinezi”, i cili dyshohet se ishte njëri prej dy autorëve të atentatit. Ai u arrestua në fund të gushtit 2026 në pjesën veriore të Qipros, pas informacioneve të përcjella tek autoritetet lokale. Sipas mediave greke, ai kishte qëndruar i fshehur në këtë zonë për rreth 13 muaj.

Identifikimi i tij u bë i mundur përmes katër regjistrimeve nga kamerat e sigurisë, të cilat dokumentuan lëvizjet e dy autorëve pas vrasjes, si dhe përpjekjet e tyre për të shkatërruar armët e përdorura në atentat.

Sipas hetimeve, pas ekzekutimit, dy personat u drejtuan drejt një banese në zonën e Aspropirgos, e cila dyshohet se shërbente si strehë. Në pamjet filmike ata shfaqen duke mbajtur armët automatike të përdorura në vrasje.

Regjistrimet e tjera tregojnë se dy të dyshuarit kanë përdorur një sharrë elektrike në bodrumin e banesës për të shkatërruar armët. Njëri prej tyre dëgjohet duke komunikuar në gjuhën ruse me një person tjetër dhe duke i thënë se kishin eliminuar provat.

Pamjet e fundit filmike, ku fytyra e njërit prej autorëve ishte e dallueshme, u përdorën nga policia greke për ta krahasuar atë me fotografinë e vendosur në një dosje aplikimi për azil. Kjo i lejoi hetuesit të identifikonin Aleksei Shopkën dhe ta lidhnin atë me ngjarjen.

Arrestimi i tij në pjesën veriore të Qipros u shoqërua me vështirësi ligjore për shkak të statusit të territorit dhe pamundësisë për të ndjekur procedurën e zakonshme të bashkëpunimit mes autoriteteve qipriote dhe atyre greke.

Sipas raportimeve, Shopka ishte gjetur më 24 gusht në zonën e Agios Amvrosios, në rajonin e Kyrenias, ku qëndronte pa leje të vlefshme. Gjatë marrjes në pyetje, ai dyshohet se ka pranuar se në korrik 2026 kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në një zonë ushtarake pranë Tympos, kishte kaluar në pjesën e kontrolluar nga Republika e Qipros dhe më pas ishte kthyer sërish në veri.

Vrasja e Vangelis Zambounis ndodhi në orët e para të 14 janarit 2024. Autorët iu afruan automjetit të tij, të parkuar pranë pikës së karburantit, dhe hapën zjarr me armë automatike. Në vendngjarje u gjetën 97 gëzhoja. Njëri prej atentatorëve iu afrua më pas automjetit, hapi derën dhe qëlloi viktimën edhe me pistoletë.

Automjeti i përdorur në atentat u gjet më vonë i djegur në një nga rrugët kryesore të Athinës. Zambounis ishte një prej emrave të njohur të botës së krimit të organizuar në Greqi dhe ishte përmendur më parë në hetime që lidhen me veprimtarinë e grupeve kriminale. Në vitin 2018 ai kishte arritur t’i mbijetonte një tjetër atentati në Pire.

Hetuesit e lidhin vrasjen me përplasjet mes grupeve rivale të të ashtuquajturës “Mafia Greke”, të cilat dyshohet se luftonin për kontrollin e aktiviteteve të paligjshme, veçanërisht të kontrabandës së cigareve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion