Vlorë nën masa të forta sigurie për 28 Nëntorin, qindra efektivë policie dhe RENEA në terren

Qindra forca policie, përfshirë edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Speciale, janë angazhuar në një plan të shtuar masash sigurie në qytetin e Vlorës, në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë.
Dhjetëra furgonë policie dhe efektivë janë vendosur në çdo kryqëzim, përgjatë gjithë aksit nga hyrja e qytetit deri në Sheshin e Flamurit, ku pritet të zhvillohet ceremonia zyrtare.
Masat e shtuara të sigurisë janë marrë në prag të nisjes së ceremonive, ku pritet të marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
I pranishëm është edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Ai ndodhet në Sheshin e Flamurit në Vlorë, ku po ndjek nga afër menaxhimin e situatës dhe masat e sigurisë në kuadër të ceremonisë së 28 Nëntorit.


