Këngëtari Giorgos Mazonakis i vdiq në duar, mjekja fshiu mesazhet për medikamentin e rrezikshëm

Të dhënat e rikuperuara nga telefoni i mjekes që kreu procedurën e plazmaferezës te këngëtari grek Giorgos Mazonakis janë vendosur në qendër të hetimeve për atë që ndodhi në klinikën private.
Sipas raportimeve të mediave greke, ekspertiza dixhitale ka evidentuar një numër të madh komunikimesh të fshira, por edhe kërkime në internet që lidhen me substanca anestetike dhe efektet që ato mund të shkaktojnë në organizëm.
Materialet janë përfshirë tashmë në dosjen që po shqyrtojnë autoritetet.
Sipas të dhënave që i atribuohen raportit të Drejtorisë së Hetimeve Penale, pas largimit të Mazonakis nga klinika dyshohet se nga telefoni i mjekes janë fshirë telefonata dhe mesazhe të shkëmbyera me këngëtarin.
Hetuesit po shqyrtojnë komunikime që raportohet se i përkasin periudhës para dhe pas incidentit.
Në telefon dyshohet se janë konstatuar gjithashtu komunikime të fshira me një hipnoterapiste, një tjetër element që autoritetet po përpiqen ta vendosin në kontekstin e plotë të ngjarjes.
Por nuk janë vetëm mesazhet që kanë tërhequr vëmendjen e hetuesve. Nga analiza e pajisjes raportohet se janë evidentuar edhe një sërë kërkimesh në internet të lidhura me propofolin dhe midazolamin.
Mes pyetjeve të kërkuara dyshohet se ka pasur informacione për efektet anësore të këtyre substancave, përdorimin e tyre së bashku dhe ndikimin që mund të kenë në tensionin arterial.
Në një tjetër kërkim, sipas mediave greke, kërkohej informacion nëse propofoli mund të gjendet në formën e tabletave. Gjithashtu është raportuar se në pajisje janë gjetur kërkime që lidhen me mënyrat për të ndihmuar një person të dalë nga gjendja e dehjes.
Të gjitha këto të dhëna po analizohen nga autoritetet për të përcaktuar nëse dhe në çfarë mënyre lidhen me incidentin në klinikë.
Një tjetër pjesë e hetimit lidhet me komunikimet mes vetë punonjësve të institucionit shëndetësor. Sipas materialeve të raportuara, në një bisedë të përbashkët të stafit është diskutuar për gjendjen e Mazonakis.
Në këto komunikime pretendohet se përmendet administrimi i një substance anestezike dhe një rënie e konsiderueshme e tensionit të gjakut të këngëtarit.
Përkeqësimi i gjendjes së tij, sipas të njëjtave raportime, kishte bërë të nevojshme kërkimin e ndihmës së urgjencës. Hetuesit po përpiqen tani të rindërtojnë me saktësi se çfarë ka ndodhur brenda klinikës, çfarë substancash janë përdorur dhe në çfarë rrethanash janë administruar.
Paralelisht po hetohet edhe origjina e substancave të sekuestruara ose të identifikuara gjatë hetimit dhe mënyra se si ato kanë përfunduar në ambientet e klinikës.
Autoritetet pritet të shqyrtojnë të dhënat e telefonit së bashku me dokumentacionin mjekësor dhe dëshmitë e personave të përfshirë për të krijuar një tablo më të plotë të ngjarjes.
Për momentin, kërkimet në internet, komunikimet e fshira dhe bisedat e stafit përbëjnë elemente të një hetimi ende të hapur dhe jo përfundime për përgjegjësinë e personave të përfshirë.


