Raporti: 38% e familjeve shqiptare nuk arrijnë të ngrohin shtëpinë për shkak të të ardhurave të ulëta

Aktualitet

Raporti: 38% e familjeve shqiptare nuk arrijnë të ngrohin
Rreth 38% e familjeve në Shqipëri nuk janë në gjendje të mbajnë shtëpitë e tyre të ngrohta për shkak të të ardhurave të ulëta dhe kostove, ndërsa vendi ende nuk ka një program të posaçëm që të lidhë financimin e rinovimit të banesave apo përmirësimin e ngrohjes me familjet në varfëri energjetike.

Gjetja vjen nga raporti i vitit 2026 për zbatimin e Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor, i cili analizon zhvillimet gjatë vitit 2025.

Raporti e vendos këtë problem përballë uljes së çmimit të energjisë elektrike për familjet, masa kryesore e Shqipërisë gjatë vitit 2025 për përballueshmërinë e energjisë.

Nga shkurti, tarifa për konsumatorët familjarë që përdornin deri në 700 kWh në muaj u ul nga 9.5 lekë/kWh në 8.5 lekë/kWh, ose me 1 lek për kilovatorë. Nga rreth 1.07 milion kontrata familjare, afërsisht 95% hyjnë në këtë fashë konsumi dhe përfituan nga tarifa më e ulët.

Megjithatë, raporti vlerëson se ulja e çmimit nuk e zgjidh probemin strukturor të varfërisë energjetike. Sipas të dhënave të cituara në dokument, 27% e popullsisë përballet vazhdimisht me vështirësi për të paguar shërbimet utilitare, ndërsa përqindja e familjeve që nuk arrijnë të sigurojnë ngrohje të përshtatshme arrin në 38%. Raporti e cilëson këtë si nivelin më të lartë të varfërisë energjetike në Evropë.

Strategjia e Mbrojtjes Sociale 2024–2030 parashikon masa kundër varfërisë energjetike, përfshirë konsolidimin e skemave financiare dhe nxitjen e paneleve diellore në zonat rurale. Edhe Agjenda e Reformave e Shqipërisë parashikon përshtatjen graduale të tarifave me çmimet e tregut, të shoqëruar me masa për familjet në varfëri energjetike.

Megjithatë, raporti konstaton se deri në vitin 2025 nuk ekzistonte një program i dedikuar që grantet për rinovimin e banesave ose përmirësimin e sistemeve të ngrohjes t’i drejtonte posaçërisht te këto familje.
Raporti: 38% e familjeve shqiptare nuk arrijnë të ngrohin

Kontrasti me disa vende të rajonit tregon edhe llojin e ndërhyrjeve që raporti konsideron të nevojshme. Në Mal të Zi, për shembull, më shumë se 4,500 familje ishin përfshirë deri në mars 2025 në masa për eficiencën e energjisë, mbi 2,500 aplikime ishin miratuar dhe programi kishte një vlerë totale mbi 15 milionë euro. Grantet arrinin deri në 10 mijë euro për përfitues për ndërrimin e dritareve, termoizolim, panele diellore dhe sisteme eficiente ngrohjeje.

Kjo e zhvendos problemin në Shqipëri nga çmimi i energjisë te cilësia e banesave dhe aftësia e familjeve me të ardhura të ulëta për të investuar në eficiencë energjetike.Pikërisht për këtë, raporti rekomandon që financimet për rinovimin e ndërtesave në Ballkanin Perëndimor të orientohen më shumë drejt familjeve në varfëri energjetike dhe jo vetëm te konsumatorët që kanë kapital për të investuar. /ekofin.al/

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion