Korrupsion, shkelje në tendera, fshehje pasurie e pastrim parash, caktohet gjyqtarja për dosjen "Balluku"

Atalanta Zeqiraj është caktuar gjyqtare e seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për dosjen e ish-zëvendës kryeministres dhe ish ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe 27 personave të tjerë.
Zeqiraj u caktua gjyqtarja paraprake përmes një shorti që u hodh në GJKKO, vetëm dy ditë pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e dërgoi çështjen për gjykim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet kanë zbuluar shkelje në 10 tendera, me vlerë totale fondesh limit rreth 27.8 miliardë lekë pa TVSH. Bëhet fjalë për tenderin e Tunelit të Llogarasë, disa lote të Unazës së Jashtme të Tiranës, akset Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, rrugën Porto Romano në Durrës dhe rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol.
Ish zv kryeministrja dhe ish ministrja akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera në nëntë raste, korrupsion pasiv, fshehje të pasurisë në dy raste dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Sipas hetimeve, ajo ka orientuar dhe ndikuar në procedurat e prokurimit për të paracaktuar dhe favorizuar kompanitë fituese.
Sipas SPAK, përmes shkeljeve në procedurën e tenderit për Tunelin e Llogarasë, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik prej 7.48 miliardë lekësh, ose rreth 78 milionë eurosh, nga përllogaritja e fondit limit dhe miratimi i preventivit të rishikuar me çmime dhe volume të fryra. Ndërkohë, vlera totale e 10 tenderave të përfshirë në hetim arrin në 36.18 miliardë lekë, ose rreth 376.9 milionë euro, pa TVSH.


