Kaos e sherr te Konferenca e Kryetarëve, mazhoranca kërkon komision të posaçëm, PD ikën nga tryeza e bisedimeve
Opozita ka bojkotuar mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve në Kuvend, ku u diskutua propozimi i Partisë Socialiste për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për fazën e dytë të reformës territoriale.
Partia Demokratike ka kundërshtuar procesin e reformës duke kërkuar një proces gjithëpërfshirës dhe konsensual.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka akuzuar mazhorancën se ka humbur mundësinë për të zhvilluar një reformë që do të përmirësonte funksionimin e qeverisjes vendore.
Sipas Tabakut, qëllimi i mazhorancës nuk është përmirësimi i shërbimeve dhe i administrimit në nivel vendor, por ndryshimi i hartës territoriale për interesa elektorale.
“Të jemi seriozë për rolin tonë si deputetë. Nuk besoj se ka vlerë të diskutojmë për të bërë një punë që e kishim për detyrë ta bënim, por që nuk u bë. Tani po ngrihet një komision tjetër, pasi komisioni i parë shërbeu vetëm për të vizatuar hartën. Kjo kërkesë është kopje e asaj që parashikohej në objektin e vendimit të Kuvendit të tetorit të vitit të kaluar. Atëherë ju votuat kundër, ndërsa tani e sillni sërish për votim dhe jeni pro. Kjo nuk është serioze.
Për çfarë arsyeje duhet të marrë pjesë opozita në këtë proces? Ky është një proces që kërkon besim. Komisioni duhej të prodhonte një rezultat të përbashkët, të mbështetur nga të dyja forcat politike. Në korrik të këtij viti, ne kërkuam që këtij komisioni, me këto objektiva, t’i shtyhej afati i veprimtarisë. Ju nuk pranuat. Kërkuam që komisionit t’i jepeshin edhe tre muaj kohë, pikërisht për të përmbushur këto detyra, por ju e refuzuat. Tani propozoni të njëjtën përmbajtje dhe të njëjtat objektiva.
Procesi kërkonte që produkti i miratuar javën e kaluar të ishte konsensual, në mënyrë që të vazhdohej me një paketë ligjore që do të synonte shëndoshjen e financave publike, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, rritjen e kapaciteteve dhe përfitimin nga fondet e kohezionit. Reforma që kemi bërë, zoti kryetar, është e njëjtë me atë të vitit 2015. Ajo prek vetëm një nivel të qeverisjes.
E keni kthyer Kuvendin në tallje. Kërkesat që keni refuzuar tre muaj më parë i sillni këtu copy-paste dhe kërkoni t’i votoni”, tha Tabaku në mbledhje.
Të premten e shkuar, në orët e para të mëngjesit me 85 votat e mazhorancës u votua shkrirja e 15 bashkive në vend, diçka që ka sjellë protesta në vend.
Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Jorida Tabaku kundërshtoi vendimin e Komisionit të Etikës për përjashtimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dhe deputetit Klevis Balliu.
Ndërkohë, Tedi Blushi lëshoi akuza të forta ndaj mazhorancës, duke kërkuar që Kuvendi të mbajë qëndrim për atë që ai i cilësoi shkelje të të drejtave të opozitës dhe kërcënime ndaj deputetëve.


