Kamionët me portokalle fshehnin 1 ton ko'kainë, goditet rrjeti i trafikut në Londër

Një ton kokainë u gjet e fshehur në arka me portokalle, në atë që përbën një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës në historinë e Policisë Metropolitane në Londër.
Më saktësisht, policia britanike ka sekuestruar plot 893 kg lëndë që dyshohet të jetë kokainë dhe ka arrestuar tetë persona, si pjesë e një hetimi që kishte në shënjestër një grup të krimit të organizuar, i cili dyshohet se ka kontrabanduar drogë në Mbretërinë e Bashkuar. Një zëdhënës i Policisë Metropolitane deklaroi se hetimet janë ende në vazhdim.
Policia kreu arrestimet të dielën në mbrëmje në tregun "New Spitalfields" në Londër, bëri të ditur forca policore.
Një sasi e madhe lënde, që dyshohet të jetë kokainë, u gjet e fshehur në arka me portokalle. Pesë personat, të moshave 27, 33, 41, 43 dhe 58 vjeç, u arrestuan nën dyshimin për komplot me qëllim shpërndarjen e drogave të klasit A.
Pamjet filmike tregojnë oficerët teksa kontrollojnë arkat prej kartoni të mbushura me portokalle, për të gjetur pako të zeza, të cilat mbanin vizatimin e një tërfille me katër gjethe, të fshehura nën to.
Fotografi të shkrepura të dielën në mbrëmje shfaqin blloqe me lëndë që dyshohet të jetë kokainë, në pesë arka kartoni. Në disa prej pakove, në pjesën e përparme, ishte shënuar numri "1100".
Tregu i frutave dhe perimeve, i cili u zhvendos në Leyton në vitin 1991, është tregu më i madh me shumicë në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbulon një sipërfaqe prej rreth 13 hektarësh.
Zëdhënësi i policisë shtoi se, në afërsi të vendit të ngjarjes, u arrestua edhe një person i gjashtë, 44 vjeç, tek i cili u gjetën 100 kg lëndë që dyshohet të jetë kokainë.
Në një operacion tjetër, policia kontrolloi një pronë në Cheshunt, Hertfordshire, dhe arrestoi një 48-vjeçar nën dyshimin për të njëjtën vepër penale. Oficerët sekuestruan gjithashtu një shumë parash të gatshme, të vlerësuar në rreth 450,000 paund.
Gjithashtu, një kamion u ndalua pranë Maidstone dhe u dërgua në Dover për kontroll, ku oficerët gjetën dhe sekuestruan rreth 250 kg kokainë të dyshuar. Shoferi, një 50-vjeçar, u arrestua gjithashtu nën dyshimin për komplot me qëllim shpërndarjen e drogave.
Të tetë personat e arrestuar ndodhen aktualisht në paraburgim, ndërsa identiteti i tyre nuk bëhet i ditur. Detektive Superintendantja Lindsey Billany, e cila drejton hetimin e Policisë Metropolitane, u shpreh: “Sekuestrimi i këtyre lëndëve narkotike, të cilat do të kishin një vlerë prej miliona paundësh, përbën një humbje të konsiderueshme për këtë sipërmarrje kriminale dhe është një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës që kemi parë.
“Ky operacion policor dëshmon përkushtimin tonë për të goditur trafikantët e drogës, aktiviteti i të cilëve nxit dhunën në rrugët e Londrës – dhe duhet të shërbejë si një paralajmërim për grupet e krimit të organizuar që importojnë drogëra të klasit A", tha ai.

