Jetonte në çadër për të mos braktisur studimet, 58-vjeçari gjendet i pajetë në universitetin e Romës

Bota

Jetonte në çadër për të mos braktisur studimet,
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Universitetin “La Sapienza” në Romë, ku një 58-vjeçar është gjetur i pajetë brenda çadrës ku jetonte prej disa javësh, në ambientet e kampusit universitar. Alessandro Ingusci, student i vitit të parë në Fakultetin e Fizikës, kishte mbetur pa një banesë dhe kishte ngritur një strehë të improvizuar pranë statujës së Minervës, duke kërkuar një zgjidhje për të mos ndërprerë studimet.

Sipas mediave italiane, 58-vjeçari kishte nisur një grevë urie në shenjë proteste, pasi nuk po arrinte të siguronte një vend në konviktin studentor dhe mbështetjen ekonomike të nevojshme për të përballuar jetesën. Ai kishte zgjedhur ta bënte publike situatën e tij përmes një proteste të heshtur, duke qëndruar në çadrën e ngritur brenda universitetit.

Ingusci kishte shkruar edhe në dërrasën e zezë të një prej auditorëve të Fakultetit të Fizikës, ku prezantohej si student i vitit të parë dhe shpjegonte se po i mohohej e drejta për të studiuar dhe për të përfituar një vend në konvikt. Në mesazhin e tij, ai theksonte se ishte 58 vjeç, me aftësi të kufizuara në masën 50%, dhe se kishte nisur grevën e urisë për të marrë një përgjigje për gjendjen e tij.

Sipas raportimeve të gazetës italiane La Repubblica dhe portalit Open, Ingusci kishte aplikuar pranë institucionit rajonal DiSCo Lazio, që administron shërbimet e mbështetjes për studentët, për të përfituar një vend në konvikt.

Kërkesa e tij e parë ishte refuzuar, pasi ishte dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar, ndërsa aplikimi i dytë rezultonte ende në proces shqyrtimi. Në pritje të një përgjigjeje, ai kishte vendosur të qëndronte në ambientet e universitetit, ku prej javësh jetonte në kushte të vështira.

58-vjeçari ishte kthyer në Itali në muajin qershor, pas shumë vitesh qëndrimi në Holandë. Pavarësisht vështirësive ekonomike dhe mungesës së një banese, ai kishte vendosur të ndiqte pasionin e tij për fizikën dhe të regjistrohej në universitet. Mediat italiane raportojnë se ai vuante nga probleme të rënda kardiake dhe se në të kaluarën kishte pësuar edhe dy infarkte. Gjithashtu, ishte me aftësi të kufizuara në masën 50%.

Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, 58-vjeçari ishte parë për herë të fundit nga personeli i sigurisë së universitetit disa ditë përpara se të zbulohej trupi i tij. Alarmi u dha pasditen e 23 nëntorit, kur u konstatua se ai kishte ndërruar jetë brenda çadrës. Në vendngjarje mbërritën shërbimet e urgjencës, policia dhe ekspertët e policisë shkencore, por ndërhyrja e tyre nuk mundi ta shpëtonte.

Dyshimet paraprake janë se Ingusci mund të ketë pësuar një gjendje të rëndë shëndetësore. Nuk përjashtohet mundësia që problemet kardiake, kushtet e vështira të jetesës dhe greva e urisë të kenë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij, por shkaku i saktë i vdekjes mbetet për t'u përcaktuar nga ekspertiza mjekoligjore.

Një tjetër detaj që e bën edhe më të dhimbshme ngjarjen është fakti se 58-vjeçari priste një zgjidhje për situatën e tij të strehimit. Sipas raportimeve, ishte duke u shqyrtuar mundësia e sistemimit të tij në një banesë, ndërsa një takim për të diskutuar alternativat e mundshme ishte parashikuar për mëngjesin e 24 nëntorit, vetëm një ditë pas vdekjes së tij.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin universitar. Kolektivi studentor “Cambiare Rotta”, i cili kishte bërë publike situatën e Ingusci-t, e cilësoi atë si një student pa shtëpi, i cili prej javësh kërkonte përgjigje për të drejtën e tij për strehim dhe arsimim. Studentët kanë ngritur pikëpyetje mbi vështirësitë që hasin të rinjtë dhe personat në kushte të vështira ekonomike për të përfituar nga skemat e mbështetjes dhe konviktet universitare.

 Rektorja e Universitetit “La Sapienza”, Antonella Polimeni, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të studentit, duke deklaruar se e gjithë komuniteti universitar ishte i tronditur nga kjo humbje. Ajo bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit universiteti kishte zhvilluar disa kontakte të drejtpërdrejta me Ingusci-n dhe kishte përfshirë shërbimet shëndetësore dhe autoritetet lokale për të gjetur zgjidhje konkrete për strehimin dhe mbështetjen e tij.

Ndërkohë, edhe drejtuesi i institucionit rajonal DiSCo Lazio, Simone Foglio, shprehu keqardhjen për ngjarjen, duke bërë të ditur se institucioni kishte marrë një sinjalizim për rastin nga universiteti gjatë javës së kaluar. Sipas tij, ishte verifikuar se Ingusci nuk kishte marrë pjesë në thirrjet e zakonshme për aplikime për një vend në konvikt apo bursë studimi. Ai përmendi gjithashtu një skemë të posaçme mbështetjeje, e cila synon të ndihmojë studentët që për shkak të rrethanave të veçanta nuk kanë mundur të aplikojnë brenda afateve të zakonshme.

Vdekja e Alessandro Ingusci-t ka rikthyer në qendër të debatit krizën e strehimit për studentët në Itali, veçanërisht në Romë, ku kostot e larta të qirave dhe mungesa e vendeve në konvikte e bëjnë gjithnjë e më të vështirë vazhdimin e studimeve për personat me të ardhura të ulëta. Rasti i tij ka ngritur pikëpyetje të forta mbi funksionimin e skemave të ndihmës dhe mënyrën se si institucionet reagojnë ndaj studentëve që gjenden në situata emergjente

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion