Kallëzoi manipulimin e zgjedhjeve në Kuçovë, Maliqi dëshmon në SPAK: Nuk kam besim tek ky hetim

Aktualitet

Kallëzoi manipulimin e zgjedhjeve në Kuçovë, Maliqi
Ish-deputeti Lefter Maliqi është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, ku është thirrur në lidhje me një kallëzim që ka depozituar rreth tre vite më parë për krime zgjedhore në Bashkinë e Kuçovës, gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2023.

Pas daljes nga SPAK, Maliqi bëri të ditur se prokurori i çështjes është Dritan Prençi. Ai pretendoi se në kallëzimin e tij ka denoncuar një grup të strukturuar kriminal, të cilin e akuzon për manipulimin e rezultatit zgjedhor dhe marrjen e mandatit në Bashkinë e Kuçovës.

Maliqi përmendi emra të ish-zyrtarëve të lartë dhe drejtuesve të Policisë, mes tyre ish-ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe drejtuesin e Policisë Operacionale, Bistri. Ai pretendoi se këta persona kanë ndikuar në procesin zgjedhor përmes presionit ndaj mbështetësve të tij. Po ashtu, tha se ka dorëzuar prova që, sipas tij, lidhen me përdorimin e investimeve publike, ndarjen e ndihmave dhe tenderat gjatë fushatës elektorale.

Ish-deputeti shprehu pakënaqësi për kohën që ka marrë hetimi, duke deklaruar se kallëzimi është bërë prej më shumë se tre vitesh dhe se nuk ka besim te përfundimi i tij. Ai akuzoi qeverinë dhe mazhorancën për ndikim në drejtësi, ndërsa kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.

Në deklaratën e tij, Maliqi foli edhe për protestat e studentëve, duke shprehur mbështetje për kërkesat e tyre. Ai paralajmëroi se do të vijojë betejën politike dhe deklaroi se synon të kandidojë për kryetar të Bashkisë së Kuçovës në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Pretendimet e ngritura nga Maliqi janë deklarata të tij pas paraqitjes në SPAK.

Lefter Maliqi: Prokurori i çështjes është Dritan Prençi, ku u thirra për krimin, kallëzimin që kam bërë para tre vitesh për krimin elektoral, ku kam akuzuar si grup të strukturuar kriminal, të përfshirë në grabitjen e mandatit në Bashkinë Kuçovë në 2023-shin, ish-ministrin e brendshëm, Çuçin e familjes, së kreut të organizatës kriminale zotit Rama, kam akuzuar drejtorin e operacionales Bistri të implikuar në atë fushatë elektorale në Kuçovë me forcat e operacionales, kam akuzuar vëllain e ish-kryetarit të bashkisë së Përmetit, Vojo Peçi, i cili ka qenë mbi 14 vjet shef komisariati dhe u përfshi në fushatën, me urdhër të Çuçit të familjes, dhe një-dy drejtues të tjerë policie që u graduan më pas, u bënë shefa komisariatesh me ndërhyrjen e fatorinos dhe oligarkut të famshëm Salillari, dhe të gjithë lidhjet e Salillarit.

 Konflikti fizik që pata me Salillarin, të gjitha në heshtje zgjedhore dhe punonjësit e Partisë Socialiste dhe në qendër të Kuçovës me operacionale, me drejtorinë e policisë, ku shoqëruan njerëzit e mi. Të gjitha provat e mia për çakullin elektoral, asfalt elektoral, ndarjen e ndihmash dhe të gjithë tenderat korruptivë si në atë të famshmin 4 milionë e gjysmë euro, telefonatat e ndryshme, përplasjet me shtabin elektoral, dhe çuditërisht unë ruaj respekt për oficerët e BKH-së që më thirrën, të cilët por unë ju thashë që kam mbi tre vjet këtë çështje të kallëzuar dhe ju po më merrni tani për detaje, shtesë, sepse keni filluar procedimin penal. Ndërkohë që për 3-4 muaj janë zgjedhjet lokale në Bashkinë Kuçovë, ku unë do të jem i padiskutueshëm kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Kuçovës me votat e njerëzve të ndershëm, për t'i treguar qytetarëve këtë masakër elektorale që bënë në 2023-shin.

Por unë dua t'u them shqiptarëve të jeni të bindur që sa të jetë Rama nuk ka drejtësi. Oficerë dhe prokurorë të SPAK-ut të ndershëm ka, prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm në Shqipëri ka, por sa të jetë Rama dhe levat e tij oligarkike, të jeni të bindur që në Shqipëri nuk ka drejtësi. Unë kam katër vjet që ngela dyerve të SPAK-ut, në Gjykatën e Posaçme, në Gjykatën e Apelit të Posaçme, kam qenë deri në Gjykatë të Lartë dhe vazhdoj akoma i njëjti teatër elektoral. Ndërkohë që Hajdari i famshëm, i cili akuzohet për shumë gjëra, por u dënua me 150 orë punë për ligjin e dekriminalizimit.

Ndërkohë që studentët e shkretë rrihen, goditen, shoqërohen, arrestohen, rrinë 3 ditë në burg, gjobiten me lekë, rrinë dhe 20 ditë në burg, ndërkohë që e patë se çfarë ndodhi me Gjiknurin, e patë se çfarë ndodhi me Beqajn, me orë pune, se milionat dhe miliardat e lekëve me taksat e qytetarëve dhe tenderat korruptivë, SPAK-u i Ramës nuk jua sekuestron, por jua mban me qëllim që ata të jenë të qetë. Ndërkohë që studentët vazhdojnë për të drejtat e tyre. Prandaj unë do vazhdoj betejën, pavarësisht se tani nuk më intereson më Hajdari, se Hajdarin do ta mund me votë dhe Hajdarët e tjerë që ka Rilindja, por jam këtu për t'ju thënë që nuk kam besim. Nuk kam besim fare te ky hetim, sepse ç'e dua unë tani kur për tre muaj, katër muaj janë zgjedhjet?

Ndërkohë që Hajdari me karrigen e grabitur në këtë kazan të krimit, ndërruan kutitë me urdhër të Çuçit të familjes, oligarku Salillari, Bistri i operacionales goditën njerëzit e mi, m'i morën në mëngjes njerëzit e mi, m'i prunë këtu në SPAK, u morën numrat e telefonit kot fare, i kontrollonin, ndërkohë dhe unë kam qenë në përgjim, e kam thënë dhe aty, nga operacionalja, por këta nuk duan njerëz të ndershëm, këta duan njerëz të hajdutë që t'i mbrojnë. Prandaj është kjo gjendje në Shqipëri, prandaj është kjo revoltë e studentëve edhe e gjithë popullit shqiptar kundër mafies që është në qeveri. Me largimin e Ramës, me krijimin e qeverisë teknike do vendoset drejtësia dhe siguria në Shqipëri.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion