Gjendja shëndetësore e Veliajt, avokati Ndreca zbulon çfarë diskutuan në takim
Nga burgu i Fierit, pas takimit me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, avokati Plarent Ndreca, ka pohuar se ende nuk po mundet të sigurojë dokumentin që fakton gjendjen shëndetësore të tij, duke e cilësuar këtë situatë absurde.
Ky është një persekutim shëndetësor, ka thënë Ndreca, ndërsa ka theksuar se klienti i tij vazhdon të jetë në ambientet e spitalit i izoluar pa komunikuar me askënd sikur të jetë një person i rrezikshëm.
Përsa i përket kërkesës për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste, Ndreca ka thënë se kjo është një kërkesë legjitime e një anëtari të Partisë Socialiste.
Përsa i përket kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor, Ndreca ka pohuar se kjo është një kërkesë për të hetuar për ato çfarë Veliaj i cilëson si kërcënime.
Unë nuk di të ketë një qëndrim të Partisë Socialiste në lidhje me çështjen Veliaj, ka thënë Ndreca, por qëndrime individuale. “Partia Socialiste është një parti demokratike dhe kolegjiale”, ka thënë avokati, dhe “nuk mund të them që Partia Socialiste i ka mbyllur derën kryebashkiakut”.


