“Ju erdhi fundi!” – Protesta kundër qeverisë në ditën e 106-të, qytetarët nisin marshimin nëpër Tiranë: “Shqipëria kërkon revolucion!”

Protesta kundër qeverisë ka hyrë në një tjetër fazë në ditën e saj të 106-të, teksa thirrjet dhe pankartat e protestuesve janë zhvendosur nga sheshi në rrugët e Tiranës. Qytetarët pjesëmarrës kanë nisur marshimin, duke përsëritur kërkesat për ndryshim politik dhe largimin e qeverisë.
Me pankarta në duar dhe me thirrje të forta kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, protestuesit kanë vijuar marshimin nëpër kryeqytet, duke e kthyer protestën e 106-të në një demonstrim të hapur të pakënaqësisë politike.
Në mesin e thirrjeve që shoqëruan marshimin u dëgjuan:
“Ju erdhi fundi!”
“Shqipëria kërkon revolucion!”
Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë qëndresën dhe atë që e cilësojnë si mosbindje civile, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Pas 106 ditësh protestash, organizatorët dhe pjesëmarrësit synojnë ta mbajnë të gjallë presionin në rrugë, ndërsa marshimi nëpër Tiranë shënon një tjetër moment të mobilizimit të tyre.
“Diaspora ka ardhur, Shqipëria është zgjuar”
Mes protestuesve, një qytetar e cilësoi pjesëmarrjen e diasporës dhe numrin e qytetarëve në marshim si një dëshmi, sipas tij, se lëvizja kundër qeverisë ka hyrë në një fazë të re.
“Diaspora ka ardhur, Shqipëria është zgjuar, bulevardi është mbushur plot shqiptarë. Këtë protestë nuk e ndalin dot me forcën e policisë apo me frikë e presion. Kjo është java e mosbindjes civile, të tregojmë që pushteti s’mund të jetë mbi popullin.”


