Bëri 200 kilometra për të shkuar në aeroport, largimi i Manajt bëhet si skenar filmi: Kishte afat deri dje, iku me makinë

Rei Manaj njoftoi gjatë pasdites së sotme se ka vendosur të ndërpresë kontratën me klubin e Sivaspor dhe tashmë nga mediat turke kanë filluar të publikohen detaje të asaj që duket si një “arrati” e mirëfilltë e sulmuesit nga ky klub.
“Rei Manaj, sulmuesi shqiptar i cili ka kaluar vështirësi në pagesat ndaj tij të Sivaspor, është larguar sot nga Sivas. Është mësuar se futbollisti me eksperiencë ka udhëtuar në rrugë tokësore deri në Kajseri dhe që nga atje, ka lënë vendin nëpërmjet aeroportit.
Sipas raportimeve, pagesa që i detyroheshin Manajt dje nuk është bërë.
Është mësuar se lojtari kishte të drejtën të ndërpriste në mënyrë të njëanshme kontratën nëse kjo pagesë nuk kryhej”, shkruante ”Sivas Gazetesi”, duke zbuluar prapaskenat e largimit të menjëhershëm të Manajt nga Turqia i cili ka udhëtuar rreth 200 kilometra nga Sivas në Kajseri për të lënë vendin.
Sulmuesi është tani në pritje të negociatave me një klub të ri pasi vetë futbollisti ka bërë të qartë se nuk do të vazhdojë më të jetë pjesë e Sivaspor.


