Pogradeci në errësirë totale, probleme edhe në Durrës

Qyteti i Pogradecit dhe Njësia Administrative Buçimas kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e një avarie të regjistruar në nënstacionin elektrik.
Ndërprerja e furnizimit ishte paralajmëruar më herët nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), i cili njoftoi se shkëputja e energjisë ishte e nevojshme për kryerjen e punimeve për riparimin e defektit.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërprerja ishte parashikuar të zgjaste nga ora 16:00 deri në orën 18:00, duke përfshirë të gjithë qytetin e Pogradecit dhe Njësinë Administrative Buçimas.
Një tjetër avari është regjistruar në nënstacionin elektrik të Spitallës në Durrës, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit me energji në disa zona.
Defekti ka prekur zonat nga Policia në drejtim të Kënetës, Spitallën dhe sektorin Rinia. Sipas informacioneve paraprake, furnizimi me energji në këto zona është rikthyer brenda 15 minutash, përmes linjave unazore.
Qyteti i Durrësit nuk është prekur nga kjo avari, ndërsa për Pogradecin dhe Buçimasin ende nuk ka një konfirmim për rikthimin e furnizimit me energji elektrike.


