“Janë shtuar shumë, policia t'i kapë sa më parë” / Valë grabitjesh në Dukat Fushë, rrëfimet tronditëse të banorëve

Aktualitet

“Janë shtuar shumë, policia t'i kapë sa më

Fshati Dukat Fushë është përfshirë nga një seri grabitjesh gjatë netëve të fundit. Deri tani janë raportuar rreth 10 raste të vjedhjes së banesave, kryesisht të pronarëve që jetojnë jashtë vendit, por nuk kanë shpëtuar as banesat e banuara dhe bizneset.

Sipas banorëve, autorët veprojnë të maskuar gjatë natës dhe dyshohet se janë të paktën dy persona, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të kenë edhe persona të tjerë që sigurojnë informacion apo survejojnë zonën. Në një prej kamerave të sigurisë shfaqen dy persona duke thyer xhamat dhe duke hyrë në një banesë.

Banorët tregojnë se grabitësit kanë marrë gjithçka që kanë gjetur, nga orenditë dhe sendet me vlerë, deri te kabujt dhe instalimet elektrike. Në një prej rasteve, pronarëve të banesës u është hedhur edhe spraj në sy, ndërsa kamerat e sigurisë janë dëmtuar.

“Kanë vjedhur disa familje, kanë prerë telat dhe kanë marrë instalimet. Edhe kamerat i kanë prishur. Marrin çfarë u del përpara. Pa një njeri të brendshëm nuk vjen njeri, dikush duhet t’u tregojë”, thotë një banore.

Banorët dyshojnë se grabitësit mund të kenë informacion nga persona që e njohin mirë fshatin dhe dinë se cilat banesa janë bosh. Sipas tyre, janë grabitur edhe shtëpi ku jetojnë banorë, çka ka shtuar frikën në komunitet.

“Kanë hapur 3-4 shtëpi dhe pa një të brendshëm nuk janë. Marrin instalimet dhe çdo gjë tjetër. Edhe ku ka banorë kanë marrë. Kam frikë dhe shpresoj që policia t’i kapë sa më parë”, thotë një banor.

Disa prej rasteve janë regjistruar në banesa të pronarëve që jetojnë jashtë vendit. Banorët thonë se grabitjet janë shtuar ditët e fundit dhe se nuk ndihen më të sigurt në shtëpitë e tyre.

“Në disa shtëpi janë hequr instalimet dhe janë marrë orendi. Janë kryesisht shtëpi të banorëve që janë në emigracion. Janë 2-3 raste të ditëve të fundit dhe kemi frikë, sepse kur vjen një grup është e vështirë t’i përballosh”, thotë një banor.

Banorët shprehen të shqetësuar për mungesën e rezultateve të hetimeve dhe kërkojnë masa për parandalimin e grabitjeve.

Disa prej tyre thonë se dëmet janë të mëdha, sidomos për familjet në pension, të cilat nuk kanë mundësi t’i zëvendësojnë lehtësisht sendet e vjedhura.

“Janë shtuar shumë, është hall i madh. Kanë grabitur deri te kabujt dhe instalimet e shtëpive. Duhet të marrin masa. Punojmë dhe na i grabisin, ndërsa për ne pensionistët edhe një dëm i vogël është shumë”, thotë një banore.

Rastet e grabitjeve janë raportuar në polici, ku janë marrë dëshmitë e personave të prekur dhe janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë.

Sipas informacionit të disponueshëm, Policia e Vlorës ka nisur hetimet, por deri tani nuk ka indicie konkrete për identifikimin e autorëve.

Banorët kërkojnë që autorët të identifikohen dhe të ndalen grabitjet që kanë krijuar pasiguri në fshat. Ndërkohë, grupi hetimor vijon verifikimin e rasteve dhe analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë.

ME TE LEXUARAT