Iu deshën plot 12 vite! Rita Ora merr më në fund patentën dhe e feston suksesin kështu...

Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Rita Ora, ka kaluar më në fund testin e drejtimit të automjetit, pas plot 12 vitesh që prej fotografive të para të saj duke marrë mësime për të ngarë makinën.
35-vjeçarja e konfirmoi lajmin përmes një postimi në “Instagram”, ku publikoi një seri fotografish nga ditët e fundit, mes tyre edhe një foto ku shfaqet duke mbajtur certifikatën e re dhe duke pozuar pranë makinës së autoshkollës në Los Angeles.

“Ka qenë një javë”, shkroi Rita krahas fotografive.
Artistja u fotografua për herë të parë duke marrë mësime drejtimi në vitin 2014, kur ishte në një lidhje me DJ Calvin Harris. Në atë kohë, mediat raportuan se Harris i kishte blerë një makinë me vlerë rreth 100 mijë paund, për ta nxitur të mësonte të drejtonte, pasi çifti ishte zhvendosur në Los Angeles.
Në atë periudhë, një burim i tha gazetës “The Sun” se Rita nuk kishte pasur më parë nevojë të drejtonte makinë, pasi lëvizte kryesisht me taksi, metro ose në këmbë. Por në Los Angeles, sipas burimit, një makinë është praktikisht e domosdoshme.
Megjithatë, këngëtares iu deshën edhe 12 vite të tjera për të marrë patentën.
Rita dhe Calvin Harris u ndanë po atë vit, ndërsa këngëtarja tashmë është e martuar me regjisorin Taika Waititi.


