Ish-presidenti në Paraguai shkarkohet dhe arrestohet për skandalin financiar mbi 800 milionë dollarë

Santiago Peña akuzohet për përqendrimin e fondeve publike në Bankën Ueno, e cila falimentoi duke prekur afro 3 milionë klientë. Ish-presidenti është shkarkuar nga detyra dhe ndodhet në paraburgim. Një skandal financiar me vlerë mbi 800 milionë dollarë ka tronditur Paraguain, duke çuar në shkarkimin dhe arrestimin e ish-presidentit Santiago Peña.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, prokurorët kanë kontrolluar banesën e tij pranë kryeqytetit Asuncion, në kuadër të hetimeve për falimentimin e Bankës Ueno, e cila u vendos nën administrimin e bankës qendrore për shkak të problemeve me aftësinë paguese. Kriza preku afro 3 milionë klientë, të cilëve iu ngrinë përkohësisht kartat bankare dhe llogaritë.
Peña akuzohet se ka luajtur rol në përqendrimin e fondeve publike dhe burimeve të fondit të pensioneve në bankë, në një vlerë që tejkalon 800 milionë dollarë.
Ai dyshohet gjithashtu se ka marrë dy kredi, me vlerë totale 500 mijë dollarë, për financimin e ndërtimit të rezidencës së tij. Ish-presidenti 47-vjeçar, i cili mori detyrën në vitin 2023 dhe kishte mandat deri në vitin 2028, u shkarkua pas një procesi në Senat, ku u shpall fajtor për keqmenaxhim të detyrës.
Pas largimit të tij, zëvendëspresidenti Pedro Ayana mori drejtimin e vendit dhe premtoi mbështetje për klientët e prekur nga falimentimi. Sipas autoriteteve, rreth 1.2 milion depozitues kanë marrë tashmë një pjesë ose të gjithë paratë e tyre, ndërsa procesi i kthimit të fondeve për pjesën tjetër të klientëve vijon.


