Eurodeputeti italian çon në PE çështjen e paraburgimit të tejzgjatur, reagon Veliaj

Erion Veliaj reagon sërish: Eurodeputeti italian Giorgio Gori kërkon shpjegime në Parlamentin Europian për paraburgimin e tejzgjatur
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish përmes rrjeteve sociale, duke sjellë në vëmendje një zhvillim të rëndësishëm ndërkombëtar lidhur me çështjen e tij ligjore. Veliaj ka shpërndarë fjalën e eurodeputetit italian Giorgio Gori, i cili ka ngritur shqetësimin mbi paraburgimin e tejzgjatur të kryebashkiakut të Tiranës.
Në deklaratën e tij, eurodeputeti Gori ka theksuar se kjo çështje ngre pikëpyetje serioze dhe se do ta dërgojë atë zyrtarisht në Parlamentin Europian për të kërkuar shpjegime të mëtejshme mbi situatën dhe standardet e zbatimit të ligjit.
Reagimi i fundit i Veliaj tregon se zhvillimet rreth kësaj çështjeje po marrin vëmendje edhe jashtë kufijve të vendit, ku figura të rëndësishme të politikës europiane po ndjekin nga afër zhvillimet gjyqësore dhe masat e sigurisë të ndërmarra ndaj zyrtarëve të lartë në Shqipëri.
Postimi:
Eurodeputeti italian, Giorgio Gori, kërkon shpjegime lidhur me rastin e paraburgimit të zgjatur të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në një deklaratë për gazetën “Domani”, ai ka deklaruar se rasti Veliaj “do të ngrihet edhe në Parlamentin Evropian” dhe se i ka kërkuar zyrtarisht sqarime Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
“Nuk kam informacion të mjaftueshëm për të gjykuar pafajësinë apo fajësinë e Veliajt, por prirem të mbështes parimin e prezumimit të pafajësisë dhe, në këtë rast, mungojnë garancitë minimale. Në këtë rast nuk është zhvilluar as seancë dëgjimore. Rasti bën pjesë në problematikën e paraburgimit, që më duket mjaft patologjike në Shqipëri. Një pjesë e madhe e popullsisë së burgjeve mbahet pas hekurave pa pasur një dënim të formës së prerë. Kjo është një çështje që duhet të ngrihet gjatë negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, të cilat, megjithatë, po përparojnë pozitivisht. Sigurisht që ka pasur përparime. Por personat nën hetim nuk mund të mbahen në burg. Rasti Veliaj do të ngrihet edhe në Parlamentin Evropian”.


