Dosja “Partizani”, dëshmitarët në gjyq: Firmoseshin 100 shkresa në ditë, s’mbahen mend, ish-komandanti tregon takimin me Bamir Topin

Aktualitet

Dosja “Partizani”, dëshmitarët në gjyq: Firmoseshin
Ka vijuar me dëshmitë e personave të thirrur nga Prokuroria seanca gjyqësore për dosjen “Partizani”. Në procesin e zhvilluar këtë të hënë në GJKKO kanë dëshmuar katër persona, Justina Boriçi, Fatmir Mediu, Maksim Malaj dhe Vladimir Qirjazi, raporton gazetarja Anila Hoxha. 

Gjatë dëshmisë së saj, Justina Boriçi, ish-drejtoreshë e kthimit dhe kompensimit të pronave, deklaroi se emërimi i saj në këtë detyrë ishte bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha, pa pasur diskutime paraprake për çështjen që është objekt i gjykimit.

Ajo tha se nuk ishte njohur me asnjë ankesë lidhur me pronat në fjalë dhe se Berisha nuk kishte ndërhyrë asnjëherë për kthimin e pronave.

“Kam qenë drejtoreshë e kthimit dhe kompensimit të pronave. Deri në këtë kohë isha drejtoreshë e regjistrimit të pronave. Mendoj se për shkak të njohurive, formimit dhe eksperiencës, kryeministri dhe stafi i tij më zgjodhën në këtë funksion. Më ka thirrur dhe ma ka komunikuar z. Berisha, pa asnjë lloj bisede e diskutimi paraprak. Nuk di nëse ka qenë ndonjë sugjerim. Asnjë diskutim nuk kemi bërë për çështjen objekt gjykimi.

Zyra rajonale Tiranë e ka pasur si çështje dhe nuk jam njohur me asnjë ankesë, sepse ne mund të ndërhynim kur mund të kishte kundërshtime dhe ankesa. Thirrja nga kryeministri për emërimin tim është procedurë normale, sepse drejtoria varej nga kryeministri. Berisha kurrë nuk ka ndërhyrë për kthimin apo çështje prone. Kurrë nuk patëm vërejtje për këto prona”, deklaroi Boriçi.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjatë dëshmisë së tij u shpreh se klubi “Partizani” nuk kishte qenë në interesin e tij si ministër dhe se dikasteri që ai drejtonte nuk kishte kompetenca mbi çështjen e planit të përhapjes.

Mediu deklaroi se ministri nuk përpilojne shkresa, por vetëm i firmoste ato, ndërsa përmbajtja dhe përgatitja e tyre ishin përgjegjësi e strukturave përkatëse.

“Klubi nuk ka qenë në interesin tim si ministër i Mbrojtjes. Ky dikaster është autoritet politik që nuk di të ketë kompetencë mbi çështjen e planit të përhapjes, që është një sektor në varësi të Shtabit të Përgjithshëm. Ministri nuk përpilon shkresa, por firmos. E kanë struktura të tjera. Nuk është e mjaftueshme të më vini përballë shkresa pa asnjë të dhënë. S’kam se si ta di ku është bazuar një shkresë që mban firmën time, por nuk ka të dhëna shoqëruese. Ministri firmoste 10-100 shkresa në ditë, nuk mbahen mend”, u shpreh Mediu.

Ai u ndal edhe te dokumentacioni për pronën, duke theksuar se procedurat për privatizimin kishin nisur që në kohën e qeverisë së mëparshme, ndërsa përmendi edhe korrespondencën e vitit 2002, të firmosur nga ish-ministri Anastas Angjeli.

“Shkresën 2 e kuptoj, se ka korrespondencë që nga viti 2002, e ardhur nga qeveria e majtë, e ardhur nga Pandeli Majko e firmosur nga Anastas Angjeli. Genc Ruli në shkresë përcjell kërkesën e qeverisë së mëparshme. Kemi qenë në reforma intensive, me Pentagonin sidomos. Çdo objekt duhej të kishte terrene dhe funksione operacionale. Kurorëzohej dhe vlerësohej nga NATO një herë në vit. Kam dijeni të letërkëmbimit që në vitin 2001 me ministrin e kohës. Vendimi ishte iniciuar për privatizimin nga qeveria e mëparshme”, deklaroi ai.

Mediu tha gjithashtu se kishte qenë gjithmonë mbështetës i ligjeve në interes të pronarëve dhe kundërshtar i ligjeve kundër tyre. Sipas tij, pronat që nuk përfshiheshin në planin e përhapjes administroheshin nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm.

Ai pretendoi se në pronën në fjalë kishte pasur të dhëna dhe pretendime për uzurpim të paligjshëm.

“Mua s’më ka thënë ndonjë zyrtar i NATO-s kap ndonjë top futbolli, mbase më ka thënë kap ndonjë top ushtarak. Nga ta di unë ç’bëhej në një klub sportiv, nuk jam marrë me fusha futbolli. Shkresat që tregoni tregojnë se si prona ka qenë e uzurpuar”, tha Mediu.

Ish-ministri theksoi se reduktimi i ushtrisë kishte bërë që një numër i madh pronash të mos menaxhoheshin dot, pasi ndodheshin në të gjithë territorin e vendit. Ai shtoi se shumë prej tyre ishin privatizuar ose u ishin kthyer pronarëve.

Një tjetër dëshmitar ishte Vladimir Qirjazi, ish- komandant i forcës mbështetëse, i cili deklaroi se gjatë periudhës 2008-2009 kishte qenë komandant i Mbështetjes Logjistike.

Ai tregoi se në mars të vitit 2009 ishte njohur me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Gazmend Oketa, për firmosjen e dokumentacionit për shitjen e klubit “Partizani”, por kishte kundërshtuar, pasi sipas tij, struktura që ai drejtonte nuk kishte asnjë lidhje me pronën.

“Në mars të vitit 2009 jam njohur me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili më kërkonte firmosjen për shitjen e klubit Partizani. Ne nuk kishim asnjë lidhje me klubin Partizani. Vura në dijeni ministrin dhe shefin e Shtabit për situatën”, deklaroi Qirjazi.

Ai tha se pas kontakteve me ministrin, në zyrën e tij kishte mbërritur një ekip nga Drejtoria e Antikorrupsionit, i cili i kishte kërkuar sqarime përse nuk kishte firmosur dokumentacionin.

Sipas dëshmisë së tij, ai kishte dorëzuar të gjithë dokumentacionin me vulë, por raporti i përgatitur nga kjo drejtori nuk kishte trajtuar pretendimet e tij.

“Me ka ardhur një raport nga Drejtoria e Antikorrupsionit që nuk kishte lidhje me atë që kërkonin. Në këtë raport ministri thoshte që rekomandojmë që mund të më jepnin masë disiplinore. Më ka ardhur edhe një raport i dytë dhe i kam thënë që është kopje e raportit të parë dhe se nuk e keni lexuar që ne nuk kishim asnjë lidhje me pronën”, tha ai.

Qirjazi tregoi se për shkak të situatës kishte kërkuar një takim me presidentin e atëhershëm Bamir Topi, i cili fillimisht nuk e kishte pranuar, por më pas e kishte pritur pas një shkrese zyrtare.

“Kam kërkuar që të takoj komandantin e Përgjithshëm, Bamir Topin. Nuk më pranoi, i kam çuar shkresë dhe më ka pranuar në takim. Më ka thënë, ‘Vijo dhe zbato ligjin’”, u shpreh dëshmitari.

Ai shtoi se edhe ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i kishte kërkuar të firmoste dokumentacionin, duke i thënë se edhe atij po ia kërkonin një gjë të tillë, pa i treguar se kush.

“Ministri më ka thënë që duhej të firmosja, pasi edhe atij po ia kërkonin, por nuk më tha se kush. Kam njoftuar edhe Maksim Malajn se ministri më ka marrë në telefon dhe më ka kërkuar firmosjen me urgjencë”, deklaroi Qirjazi.

Në seancë dëshmoi gjithashtu edhe Maksim Malaj, një tjetër person i thirrur nga Prokuroria.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion