I hetuar për pastrim parash, zbardhen detajet nga dosja e ardhur nga Italia që "fundosi" Artan Gaçin

Aktualitet

I hetuar për pastrim parash, zbardhen detajet nga dosja e ardhur nga Italia
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, është vënë zyrtarisht nën hetim nga ana e Prokurorisë së Posaçme për dy vepra të rënda penale: korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Për shkak të natyrës së çështjes dhe lidhjeve familjare, rrethi i verifikimeve pritet të përfshijë edhe bashkëshorten e tij, ish-ministren e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.

Gazetari i kronikës Xhevahir Zhabina ka dhënë detaje të reja në lidhje me ecurinë e procedimit penal, duke zbuluar se zanafilla e hetimeve vjen nga shteti fqinj.

“Ne kemi mundur të marrim veç pak detaje sepse bëhet fjalë për një dosje që ka mbërritur nga autoritetet italiane. Ajo përmban dyshime dhe akuza të rënda për pastrim parash dhe korrupsion. 

Nga informacionet që unë kam, këto akuza po hetohen nga prokurori Ols Dado dhe mbetet për t'u parë se cilët do të jenë personat që do të thirren zyrtarisht në SPAK, pasi si grup do t'u komunikohet së shpejti akuza.

Deri në këtë fazë, Prokuroria e Posaçme ka zgjedhur të jetë tejet e rezervuar, duke mos dhënë sqarime publike për episodet konkrete që po hetohen", u shpreh gazetari. 

Vetë Artan Gaçi ka refuzuar të japë komente apo sqarime për mediat lidhur me këtë situatë ligjore.

Nga ana tjetër, çështja ka marrë edhe ngjyrime politike pas deklaratave të bëra në seancën e fundit parlamentare nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili pretendoi nga foltorja se në këtë dosje mund të shtohet edhe akuza për trafik armësh. 

Gazetari Zhabina theksoi se ky pretendim mbetet ende për t'u vërtetuar nga organet e drejtësisë, duke kujtuar se informacionet po dalin me pikatore. 

“Për Gaçin akuzat e deritanishme janë për pastrim parash dhe cili ka qenë roli i tij mbetet për t'u parë.  Dosja është e pamundur të aksesohet. Kjo është një çështje që prek disa drejtues dhe nuk është thjesht një problem i SPAK-ut apo i drejtësisë, ndaj do të presim për të marrë detaje të tjera. Nuk është vetëm Artan Gaçi në këtë histori, ka edhe persona të tjerë”, u shpreh gazetari. /SHEKULLI 

ME TE LEXUARAT