Hashim Thaçi dënohet me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë

Bota

Hashim Thaçi dënohet me 17 muaj burgim për pengim të
Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur fajtor ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për disa pika të aktakuzës në procesin që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Gjyqtari Christopher Gosnell shpalli vendimin në seancën e zhvilluar këtë të martë, duke shqiptuar ndaj Thaçit një dënim të njësuar prej 17 muajsh burgim.

Çështja ndaj ish-presidentit të Kosovës lidhet me pretendimet për përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët e Prokurorisë gjatë procesit të mëparshëm gjyqësor për krime lufte në Hagë.

Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2023, Thaçi dyshohet se u ka përcjellë disa personave informacione konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë, gjatë vizitave që ata zhvillonin në qendrën e paraburgimit. Prokuroria pretendonte se këto informacione dhe udhëzime synonin të ndikonin në dëshmitë e personave të thirrur në procesin kryesor.

Në këtë çështje, përveç Thaçit, të akuzuar ishin edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Prokuroria kishte kërkuar gjashtë vite burgim për ish-presidentin, tre vite për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, si dhe nëntë muaj për Kuçin.

Nga ana tjetër, mbrojtja i kishte kundërshtuar akuzat dhe kishte kërkuar shpalljen të pafajshëm të të gjithë të pandehurve.

Ky proces është i ndarë nga gjykimi kryesor për krime lufte, në të cilin Thaçi u dënua më herët me 25 vite burgim. Në atë çështje, Gjykata Speciale shpalli gjithashtu fajtorë Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për disa vepra penale të lidhura me krimet e luftës.

Vendimi i sotëm për 17 muaj burgim lidhet vetëm me çështjen e veprave penale kundër administrimit të drejtësisë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion