Eraldo Fizi mbetet në burg, akuzohet se shkaktoi vetëvra'sjen e Xhuana Nikollaj

Aktualitet

Eraldo Fizi mbetet në burg, akuzohet se shkaktoi vetëvra'sjen e
Gjykata e Tiranës ka lënë në qeli Eraldo Fizin, i akuzuar për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes së ish-bashkëshortes së tij, Xhuana Nikollaj.

Sipas burimeve, gjatë marrjes në pyetje Fizi ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj 25-vjeçares, por ka deklaruar se kjo ka ndodhur vetëm në një rast dhe jo në mënyrë sistematike. Sipas tij, episodi ka ndodhur një ditë para se Xhuana Nikollaj të konsumonte fostoksinë. Ai ka shprehur gjithashtu pendesë për ngjarjen.

Për masën e sigurisë, Fizi dhe avokati i tij mbrojtës nuk kanë kërkuar një masë tjetër, duke pranuar arrestin me burg deri në vijimin e hetimeve.

Gjatë deklarimeve në polici, Fizi ka thënë se e kishte dashur Xhuana Nikollajn prej shtatë vitesh dhe se, pavarësisht ndarjes, ata ishin në tentativa për t'u rikthyer bashkë. Sipas versionit të tij, konflikti mes tyre kishte nisur për shkak të xhelozisë.

Fizi ishte shpallur në kërkim prej më shumë se gjashtë muajsh dhe u vetëdorëzua të mërkurën në Policinë e Lezhës, së bashku me avokatin e tij. Më pas ai u transferua në Tiranë.

Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi ishin martuar në vitin 2025, por martesa zgjati vetëm tre muaj. Pas ndarjes, 25-vjeçarja jetonte me motrat e saj në Tiranë. Më 9 mars, ajo pati një takim me Fizin, ku sipas hetimeve mes tyre pati një përleshje.

Një ditë më pas, më 10 mars, Xhuana Nikollaj konsumoi fostoksinë dhe humbi jetën. Sipas hetimeve, në trupin e 25-vjeçares u konstatuan shenja dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah. Në banesë u gjet gjithashtu një letër që ajo u kishte lënë familjarëve.

Pas ngjarjes, familjarët e të resë deklaruan se ajo ishte dhunuar dhe përndjekur nga ish-bashkëshorti i saj.

ME TE LEXUARAT