Puka pa drita që prej mbrëmjes së kaluar, defekti në linjën elektrike përsëritet për herë të dytë brenda javës

Prej mbrëmjes së kaluar, qyteti i Pukës dhe disa fshatra përreth tij kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike, si pasojë e defekteve të regjistruara në linjat e transmetimit të energjisë.
Problematika lidhet me dëmtimin e disa linjave elektrike, për shkak të kushteve të vështira atmosferike, erës së fortë dhe reshjeve intensive të shiut që kanë përfshirë zonën.
Jashtë funksionit ka dalë linja 35 kV që lidh nënstacionin e Fushë-Arrëzit me qytetin e Pukës. Ky defekt është regjistruar për të dytën herë brenda një jave, duke rikthyer problemet me furnizimin me energji elektrike në këtë zonë.
Situata paraqitet edhe më problematike për shkak se jashtë funksionit ndodhet gjithashtu linja e emergjencës Koman-Pukë, e cila mund të shërbejë si alternativë për furnizimin me energji në raste të tilla.
Për pasojë, pa energji elektrike ka mbetur jo vetëm qyteti i Pukës, por edhe disa njësi dhe fshatra përreth, konkretisht Qafë Mali, Gjegjan dhe Rrapë.
Ndërprerja e energjisë ka ardhur në një moment kur zona është përfshirë nga moti i keq, me erëra të forta dhe reshje të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar dëmtime në infrastrukturën elektrike.
Përsëritja e defektit në linjën 35 kV brenda një periudhe kaq të shkurtër ka rikthyer shqetësimin për qëndrueshmërinë e furnizimit me energji në zonë, veçanërisht në kushtet e përkeqësimit të motit.
Ndërkohë, mbetet për t'u parë se kur do të rikthehet normaliteti në furnizimin me energji elektrike për banorët e Pukës dhe fshatrave përreth.


