"Diella do të përfshihet në të gjitha hallkat e procesit", Rama prezanton modelin e ri të prokurimeve

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të martë modelin e ri të Prokurimeve të Përqendruara, përmes të cilit synohet reformimi i sistemit të prokurimit publik në Shqipëri.
Modeli i ri parashikon kalimin nga një sistem i fokusuar te procedurat në një model të orientuar drejt rezultateve, me më shumë transparencë dhe siguri, ulje të barrës ekonomike për bizneset dhe eliminim të burokracive për institucionet dhe sipërmarrjen.
Gjatë prezantimit, Rama bëri të ditur se do të ndërtohet një sistem i ri elektronik i prokurimeve publike, ku rol të rëndësishëm do të ketë inteligjenca artificiale përmes platformës Diella. Sipas tij, kjo platformë do të përfshihet në të gjitha hallkat e procesit, nga planifikimi i prokurimeve dhe hartimi i dokumentacionit, deri te analiza e riskut dhe shqyrtimi i ofertave.
Sipas Ramës, të dhënat për kompanitë do të sigurohen përmes Diellës, e cila do të ndërveprojë me më shumë se 40 regjistra publikë.
“Asnjë biznes nuk do të detyrohet të mbledhë letra lart e poshtë, që të dorëzojë ofertë për prokurim publik”, u shpreh Rama.
Inteligjenca artificiale do të përfshihet gjithashtu në llogaritjen e fondeve limit dhe në shqyrtimin teknik të ofertave. Sipas kryeministrit, përdorimi i algoritmeve inteligjente synon të rrisë saktësinë dhe transparencën e procedurave, ndërsa puna për ndërtimin e sistemit të ri elektronik të prokurimeve publike pritet të nisë së shpejti.


