Çfarë po ndodh para Kuvendit? Studentët paralajmërojnë protestë, shtohen forcat e policisë

Kuvendi do të mblidhet sot në seancën e radhës plenare, ku në qendër të diskutimeve do të jetë shqyrtimi në parim i projektbuxhetit për vitin 2027 dhe paketës fiskale.
Projektligjet kanë kaluar më herët në komisionet parlamentare, ndërsa sot pritet të diskutohen për herë të parë në sallën e Kuvendit.
Në seancën e sotme, Partia Demokratike do të përfaqësohet me një numër të reduktuar deputetësh, pasi 13 prej tyre janë të përjashtuar nga punimet e Kuvendit.
Përveç buxhetit dhe paketës fiskale, në rendin e ditës janë përfshirë edhe ndryshimet në ligjin për strehimin social, si dhe një projektvendim për Komisionin e Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Sakaq, teksa pritet të nisin dhe debatet maratonë, zona përreth Kuvendit të Shqipërisë është rrethuar nga forca të shumta policore, kjo në kuadër të masave të sigurisë për protestën e radhës të thirrur nga studentët në Tiranë.
Tubimi i sotëm vjen pas protestës së zhvilluar një ditë më parë, ku pati përplasje dhe tensione mes protestuesve dhe forcave të Policisë.
Gjatë tubimit të së martës, protestuesit u përpoqën të qëndronin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por Policia ndërhyri për t’i zhvendosur në trotuar, me argumentin se duhej të lirohej qarkullimi i automjeteve, në zbatim të aktit normativ të qeverisë.
Refuzimi i një pjese të protestuesve për t’u larguar nga bulevardi shkaktoi përplasje fizike me efektivët, ndërsa situata u tensionua më tej gjatë ndërhyrjeve të policisë për shoqërimin e disa prej pjesëmarrësve.
Mes personave të shoqëruar në komisariat kishte edhe gra, vajza dhe të moshuar. Në pamjet e publikuara nga protesta u panë momente përplasjesh, ku protestues të tjerë tentuan të pengonin automjetet e policisë që po largonin personat e shoqëruar.
Gjatë një prej episodeve, një protestues me flamur u përplas me efektivët, ndërsa në bulevard u dëgjuan thirrje dhe akuza ndaj Policisë. Raportimet nga terreni evidentuan gjithashtu pretendime për përdorim force gjatë shoqërimeve.
Protestuesit kundërshtuan ndërhyrjen e policisë, duke pretenduar se kishin marrë leje për zhvillimin e tubimit dhe se e drejta për protestë garantohet nga Kushtetuta. Nga ana tjetër, Policia argumentoi se ndërhyrja kishte për qëllim lirimin e rrugës dhe garantimin e qarkullimit.
Pas tensioneve, protesta u mbyll në Sheshin Skënderbej, ku pjesëmarrësit kënduan himnin kombëtar dhe u larguan me thirrjen “Nesër më shumë”.


