Lodhje, të përziera e diarre, Malaria shfaqet në Shqipëri, çfarë është, si transmetohet dhe cilat janë simptomat?

Malaria shfaqet në Shqipëri, konfirmohet rasti i parë! Çfarë është sëmundja, si transmetohet dhe cilat janë simptomat?
Shqipëria regjistron një rast të konfirmuar me malarie, një sëmundje infektive që prej dekadash nuk është përhapur në mënyrë endemike në vend. Pacienti është një shtetas i huaj, i cili ndodhet i izoluar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po merr edhe trajtimin përkatës. Ndërkohë, dyshohet edhe për një rast të dytë, i cili ende nuk është konfirmuar.
Rasti i raportuar më 18 nëntor ka rikthyer vëmendjen te kjo sëmundje, e cila mund të shkaktojë komplikacione serioze nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë.
Çfarë është malaria?
Malaria është një sëmundje infektive që shkaktohet nga parazitë të gjinisë Plasmodium. Ajo prek kryesisht qelizat e mëlçisë dhe rruazat e kuqe të gjakut dhe është veçanërisht e përhapur në disa rajone tropikale, sidomos në Afrikën Sub-Sahariane.
Sëmundja nuk shkaktohet nga një virus apo bakter, por nga parazitët që hyjnë në organizmin e njeriut përmes pickimit të një mushkonje të infektuar.
Cilat janë simptomat e malaries?
Shenjat e para zakonisht shfaqen 10-15 ditë pas pickimit nga mushkonja e infektuar, megjithëse periudha mund të ndryshojë në varësi të llojit të parazitit.
Simptomat më të zakonshme janë:
Temperaturë e lartë dhe ethe.
Të dridhura dhe djersitje të shumta.
Dhimbje koke.
Dhimbje muskujsh dhe lodhje e theksuar.
Të përziera dhe të vjella.
Në disa raste, diarre.
Në format më të rënda, malaria mund të shkaktojë anemi të rëndë, dëmtime të organeve, probleme me veshkat, vështirësi në frymëmarrje, çrregullime të vetëdijes, kriza konvulsive dhe madje edhe vdekje.
Si transmetohet dhe a mund të ngjitet nga një person te tjetri?
Mënyra kryesore e transmetimit është pickimi i mushkonjave femra të llojit Anopheles, të cilat mbartin parazitin e malaries.
Kur një mushkonjë e infektuar pickon një person, paraziti kalon në qarkullimin e gjakut dhe nis zhvillimin e infeksionit.
Malaria nuk transmetohet përmes kontaktit të zakonshëm mes njerëzve. Pra, nuk merret duke qëndruar pranë një personi të infektuar, duke e prekur apo përmes kollitjes dhe teshtitjes.
Në raste të rralla, transmetimi mund të ndodhë edhe përmes transfuzionit të gjakut, përdorimit të gjilpërave të kontaminuara ose nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë apo lindjes.
A duhet të shqetësohen shqiptarët?
Fakti që është konfirmuar një rast nuk do të thotë se malaria po përhapet në popullatë. Sipas të dhënave të publikuara për situatën në Shqipëri, rastet e regjistruara ndër vite kanë qenë kryesisht të importuara nga persona që kanë udhëtuar në vende ku sëmundja është e përhapur.
Megjithatë, identifikimi dhe trajtimi i shpejtë janë thelbësorë. Malaria është një sëmundje e parandalueshme dhe e shërueshme, por vonesa në diagnostikim mund të sjellë pasoja të rënda.
Për këtë arsye, personat që kanë udhëtuar në zona ku malaria është e përhapur dhe shfaqin temperaturë, ethe apo simptoma të tjera të ngjashme duhet të kërkojnë vlerësim mjekësor dhe të informojnë mjekun për udhëtimet e tyre të fundit.


