Dyshohet se ngacmoi seks'ualisht 17-vjeçaren, procedohet mësuesi në Korçë (Dëshmia e vajzës)

Një nxënëse e një shkolle të mesme në qytetin e Korçës ka denoncuar mbrëmjen e djeshme një mësues të shkollës 9-vjeçare Sevasti Qirjazi duke pretenduar se e ka ngacmuar seksualisht.
Sipas informacioneve të siguruara, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth 1 muaj më parë, ku 17-vjeçarja ka qenë pjesë e stërvitjes së volejbollit në palestrën e shkollës 9-vjeçare Sevasti Qirjazi, ku mësuesi jep mësim.
Në denoncimin e bërë në komisariat, 17-vjeçarja ka treguar në prani të babait të saj dhe psikologes, se mësuesi me iniciale E.C. ka kryer veprime me natyrë seksuale, duke e prekur në pjesë intime gjatë orës së stërvitjes.
Nga ana e komisariatit të policisë, janë marrë pamjet filmike të kamerave të sigurisë brenda palestrës ku do të bëhet edhe këqyrja e DVR-së për të hedhur më tepër dritë mbi këtë ngjarje.
Mësuesi është shoqëruar menjëherë në komisariat ku ka dhënë edhe dëshminë e tij mohuese ndaj akuzave. Në përfundim të hetimeve paraprake, ky i fundit u procedua në gjendje të lirë ndërsa do të jenë hetimet e mëtejshme që do të zbardhin rastin.


