Trump revokon lejen e sigurisë për Harris dhe Clinton heq aksesin mbi informacionet e klasifikuara

Bota

Trump revokon lejen e sigurisë për Harris dhe Clinton heq aksesin mbi

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka revokuar autorizimet e sigurisë për rivalët e tij demokratë në zgjedhjet e mëparshme, Kamala Harris dhe Hillary Clinton, si dhe për një numër ish-zyrtarësh të tjerë të lartë.

Ky veprim vjen pasi Trump deklaroi në shkurt se po revokonte autorizimin e sigurisë për paraardhësin e tij, Joe Biden. Ai e konfirmoi këtë vendim në njoftimin e fundit, duke shtuar se po revokonte gjithashtu edhe autorizimin e sigurisë për “çdo anëtar tjetër” të familjes Biden.

“Kam përcaktuar se nuk është më në interesin kombëtar që personat e mëposhtëm të kenë akses në informacion të klasifikuar,” thuhej në memorandumin e Trump.

Ish-presidentët amerikanë dhe zyrtarët e lartë të sigurisë zakonisht e mbajnë autorizimin e tyre të sigurisë si një shenjë respekti.

Ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, si dhe ish-ligjvënësit republikanë Liz Cheney dhe Adam Kinzinger, ishin gjithashtu në listën e atyre që humbën autorizimin e sigurisë – së bashku me Fiona Hill, një ish-këshilltare për çështjet ruse në administratën e parë të Trump.

Emrat e tjerë në listë ishin: Jake Sullivan, Lisa Monaco, Mark Zaid, Norman Eisen, Letitia James, Alvin Bragg, Andrew Weissmann dhe Alexander Vindman.

Më herët, Trump kishte revokuar autorizimet e sigurisë për më shumë se dyzet ish-zyrtarë të inteligjencës, të cilët ai i akuzoi se kishin ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020 në favor të Biden, pa ofruar prova.

Në vitin 2021, Biden – i cili shërbente si president në atë kohë – i ndaloi rivalit të tij të mundur, Trump, aksesin në raportet e inteligjencës, duke cituar “sjelljen e tij të paparashikueshme”.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion