Rusia vijon me terrorin, Trump ndalon ndihmat ushtarake për Europën Lindore

Ndërsa avionët luftarakë dhe dronët rusë vazhdojnë të lëvizin mbi qiellin e Europës Lindore, administrata Trump po planifikon të reduktojë ndihmën ushtarake për disa vende evropiane pranë kufirit me Rusinë, përfshirë shtetet baltike.
Sipas Reuters, zyrtari i Pentagonit, David Baker, ka informuar disa diplomatë evropianë se “Evropa duhet të mbështetet më pak tek Shtetet e Bashkuara” për mbrojtjen e saj.
Fondet për Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë janë miratuar nga Kongresi amerikan deri në shtatorin e vitit të ardhshëm, por administrata republikane nuk ka kërkuar vazhdimin e tyre, gjë që sipas disa diplomatëve evropianë mund të “forcojë Vladimir Putinin”.
Mësohet se Shtetet e Bashkuara po ndalojnë në heshtje disa shitje armësh për aleatët evropianë, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, për të rivendosur rezervat e saj të shpenzuara në luftën në Ukrainë.
Sulmet me dronë rusë ndaj Polonisë u konsideruan nga Trump si një “gabim i mundshëm”, ndërsa depërtimet e avionëve rusë mbi hapësirën ajrore të Estonisë, të interceptuar nga F-35 italianë, duket se kanë qenë me qëllim intimidimi ndaj Evropës.
Ndërkohë, Zelensky paralajmëron se çdo vonesë në veprim do të kushtojë jetë njerëzish dhe kërkon koordinim të menjëhershëm për sanksione të reja ndaj Moskës.
Sipas statistikave të forcave ukrainase, pas takimit Trump-Putin në Alaska, sulmet ajrore ruse ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase janë rritur me 46%.
Vetëm në dy javët e para të shtatorit janë përdorur 3 500 dronë, 190 raketa dhe 2 500 bomba. Zelensky thekson se Evropa po bën pjesën e saj, por tani është radha e Shteteve të Bashkuara të veprojnë.


