Skaner i problemeve në çdo lagje/ Si do të funksionojë "Pasqyra Albania" dhe çfarë do të ndodhë me zyrtarët neglizhentë

Nga Pogradeci, ditën e djeshme kryeministri Edi Rama bëri të ditur se në takimin qeveritar është diskutuar edhe për krijimin e “Pasqyrë Albania”, një platformë e re që synon të mbledhë në një hapësirë të vetme të gjitha institucionet dhe shërbimet për qytetarët.
Sipas Ramës, ambicia është që çdo kërkesë, shqetësim apo problem i qytetarëve të mund të ndiqet në kohë reale, njësoj si një pako postare, ndërsa institucionet do të jenë të detyruara të ndjekin përgjegjësitë dhe afatet për zgjidhjen e tyre.
Platforma do të jetë një modernizim i “Bashkëqeverisjes” dhe do të ketë dy seksione kryesore.
I pari, “Flamingo Mirror”, do të shërbejë për mbledhjen e sinjalizimeve dhe shqetësimeve të përditshme të qytetarëve.
Ndërsa seksioni i dytë, “Radar”, do të grumbullojë problematikat e raportuara dhe do të mundësojë gjurmimin e tyre. Sipas projektit të prezantuar, shqetësimet duhet të verifikohen brenda 48 orëve dhe më pas, brenda një afati deri në dy javë, të marrin zgjidhje.
Qëllimi është që qytetari të ketë mundësi të ndjekë në çdo moment statusin e kërkesës së tij, ndërsa puna dhe respektimi i afateve nga institucionet të jenë të monitorueshme.


