EMRAT/ Vrasja e dyfishtë në Dukagjin, viktimat babë e bir! Policia jep detaje

Dy persona, babë e bir, janë vrarë me armë zjarri pasditen e kësaj të diele në fshatin Mgull të Njësisë Administrative Pult, në Dukagjin.
Viktimat janë identifikuar si Lekë Gjoni dhe Prelë Gjoni, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur Aleks Preka.
Ngjarja është raportuar rreth orës 17:20. Për shkak të largësisë së zonës dhe vështirësive në komunikim, informacionet e para kanë mbërritur me vonesë pranë Policisë së Shkodrës.
Forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, janë nisur drejt vendngjarjes.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po shkon në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër / Informacion paraprak
Rreth orës 17:20, në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult, Dukagjin, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri shtetasit L. Gj. dhe P. Gj. (babë e bir), si dhe është plagosur rëndë shtetasi A. P.
Forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë (Njësia Shkodër) janë nisur drejt vendngjarjes.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po shkon në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin e kapjen e autorit/autorëve.
Shkodër / Informacion shtesë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë për ngjarjen në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult, Dukagjin, ku dyshohet se janë vrarë me armë zjarri shtetasit L. Gj. dhe P. Gj. (babë e bir) dhe është plagosur një shtetas tjetër, sqarojmë se:
Në këto momente ka mbërritur në Spitalin Rajonal të Shkodrës, për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasi i plagosur L. B. dhe jo A. P., siç ju informuam në njoftimin paraprak.
Me mbërritjen e shërbimeve të Policisë dhe të grupit hetimor në vendngjarje, si dhe pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, do t’ju informojmë përsëri.


