Problem serioz për ekonominë gjermane: Mbi një milion të rinj pa arsim profesional e pa punë, shifrat që ngrenë alarm

Aktualitet

Në Gjermani po rritet numri i të rinjve që pas përfundimit të shkollës nuk arrijnë të integrohen në tregun e punës dhe nuk ndjekin arsimin e duhur e nuk kane formim profesional.

Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave, gjatë vitit 2025, rreth 10 për qind e të rinjve të moshës 20 deri në 24 vjeç ndodheshin në këtë situatë. Në vitin 2022, kjo përqindje ishte 8,8 për qind. Ekspertët e konsiderojnë këtë një zhvillim shqetësues, pasi për të rinjtë kjo nënkupton një të ardhme profesionale më të pasigurt, ndërsa për ekonominë gjermane rrezikon të sjellë mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar.

Sipas të dhënave të Raportit Kombëtar për Arsimin, rreth një e katërta e të rinjve në këtë kategori janë në kërkim të një vendi pune. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre nuk janë të disponueshëm për tregun e punës. Ndër arsyet kryesore përmenden detyrimet për kujdesin ndaj familjarëve dhe problemet shëndetësore.

Drejtoresha shkencore e Institutit për Kërkime Ekonomike dhe Sociale, Bettina Kohlrausch, kërkon më shumë oferta cilësore për formim profesional dhe mbështetje më të madhe për të rinjtë, në mënyrë që ata të përfundojnë me sukses trajnimin dhe të kalojnë më lehtë në tregun e punës. Në krahasim me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, Gjermania ende paraqitet më mirë.

Mesatarja e BE-së për grupmoshën 20 deri në 24 vjeç është 12,9 për qind. Shifrat më të ulëta regjistrohen në Holandë, Suedi dhe Çeki, ndërsa më të lartat në Rumani, Bullgari dhe Francë. Në Gjermani, të rejat preken pak më shumë se të rinjtë meshkuj.

Një tjetër veçori është se të rinjtë në qytetet e mëdha kanë më shumë gjasa të mbeten jashtë punës, arsimit dhe formimit profesional sesa ata që jetojnë në zonat rurale.

ME TE LEXUARAT