Pasojat shkatërruese të ‘Ngrohjes Globale’, Arktiku po ngrohet tri herë më shpejt se planeti

Raporti i fundit dorëzuar nga Monitorimi dhe Vlerësimi i Artikut ka treguar se Arktiku po ngrohet tri herë më shpejt se planeti që nga viti 1971, më shumë sesa besohej më pare.
“Një përditësim i rëndësishëm është se rritja mesatare vjetore në sipërfaqen e Arktikut (tokë dhe oqean) midis 1971 dhe 2019 ishte tri herë më e madhe se rritja e mesatares globale gjatë së njëjtës periudhë. Është më shumë sesa tregohet në vlerësimet e mëparshme të AMAP”, thanë autorët.
Kujtojmë se në raportin e dy viteve më parë, shkruhej se ngrohja në Arktik arriti “më shumë se dyfishi i mesatares botërore”, një hendek që theksohet më tej në dimër.
Në më pak se gjysmë shekulli, nga 1971 në 2019, temperatura mesatare vjetore në këtë rajon verior u ngjit 3,1 gradë Celcius, ndërkohë që planeti ngrohej në të njëjtën kohë me 1 gradë Celcius, sipas dokumentit të përditësuar.
“Në shumicën e skenarëve të emisioneve të gazrave serrë, shumica dërrmuese e modeleve (…) sugjerojnë se, para 2050, Arktiku do të jetë për herë të parë pothuajse pa akull në shtator, muaji në të cilin zakonisht është në nivelin më të ulët” , shtuan autorët e raportit.
Sipas parashikimeve të cituara nga raporti, temperaturat mesatare të Arktikut duhet të rriten në fund të shekullit midis 3,3-10 gradë Celcius mbi mesataren e tyre gjatë periudhës 1985-2014. Shifra e saktë varet nga vëllimi i ardhshëm i emisioneve të gazrave serrë./BW


