Protestë kombëtare edhe sot në Tiranë, qytetarët rikthehen në shesh

Aktualitet

Protestë kombëtare edhe sot në Tiranë, qytetarët

Një ditë pas protestës së 28 Nëntorit, e cila u shoqërua me përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë, qytetarët pritet të mblidhen sërish sot në Tiranë, në kuadër të një tjetër tubimi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Protesta është njoftuar të nisë në orën 10:00, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike dhe organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Tubimi vjen pas manifestimit të zhvilluar një ditë më parë, në Ditën e Pavarësisë, ku mijëra qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit, si dhe shqiptarë nga diaspora, iu bashkuan protestës. Nën thirrjen “Shqipëria do të rrojë, për të luftojmë ne”, protestuesit marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë.

Protesta e djeshme u shoqërua me tensione të shumta, pasi policia nuk lejoi grumbullimin e qytetarëve përpara godinës së Kryeministrisë. Efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion për shpërndarjen e turmës, ndërsa protestuesit u kundërpërgjigjën me gurë dhe molotovë.

Përplasjet vijuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Skënderbej”, ku policia përdori edhe dronë për hedhjen e gazit lotsjellës. Në përfundim të tubimit pati edhe shoqërime të qytetarëve.

Sipas raportimeve, bilanci i protestës së 28 Nëntorit arriti në 48 persona të lënduar, mes tyre efektivë policie, protestues dhe gazetarë.

Ndërkohë, protesta e sotme pritet të vijojë mobilizimin qytetar, pas përshkallëzimit të situatës një ditë më parë. Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë qëndresën deri në përmbushjen e kërkesës së tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion