Shoqërime masive, Policia tërheq zvarrë protestuesit në Tiranë

Policia ka shoqëruar në mbrëmje një tjetër protestues të ri pranë Kishës Ortodokse në Tiranë, gjatë protestës së sotme.
Siç shihet në pamje, disa efektivë të veshur civilë, të shoqëruar nga policë me uniformë, e mbajnë të riun nga gjymtyrët, duke e tërhequr zvarrë përgjatë rrugës.
Ndërhyrja e policisë është bërë në prani të disa qytetarëve, të cilët kanë ndjekur nga afër momentin e shoqërimit të protestuesit dhe kundërshtojnë forcat e policisë.
Sulm me gaz ndaj protestuesve tek kryeministria, policia shoqëron 20 persona
Ende nuk dihen arsyet e shoqërimit të të riut dhe rrethanat që i paraprinë ndërhyrjes së efektivëve.

Policia ka shoqëruar 20 persona pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, në ditën e Çlirimit.
Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” rreth orës 10:00, ku qëndruan për gati tre orë, përpara se të marshonin në drejtim të Kryeministrisë.
Policia vijon represionin ndaj protestuesve, duke i ndjekur ata hap pas hapi pas perplasjeve dhe incidenteve.
Tensionet nisën pasi një grup protestuesish shkruan një mbishkrim fyes ndaj kryeministrit Edi Rama në murin e godinës së Kryeministrisë.
Pas këtyre veprimeve, situata u tensionua dhe policia ndërhyri, duke shoqëruar 20 persona në komisariat.
Efektivët kanë përdorur autobotët me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të zmbrapsur protestuesit nga zona pranë institucionit. Ndërkohë, forca të shumta policie janë vendosur në perimetrin e Kryeministrisë, duke blinduar zonën për të mos lejuar afrimin e qytetarëve.


