Avioni “bie” 8500 metra në pak minuta, bën ulje emergjente në Londër

Bota

Avioni “bie” 8500 metra në pak minuta, bën ulje emergjente

Një fluturim i British Airways nga Londra drejt Çikagos është detyruar të shpallë emergjencë, pasi avioni pësoi një zbritje të papritur dhe të shpejtë teksa ndodhej mbi Irlandë.

Fluturimi BA295, me një Boeing 777-200ER, ishte nisur nga aeroporti Heathrow rreth orës 12:14 dhe kishte arritur në afro 11,300 metra lartësi, kur nisi zbritjen e fortë.

Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimit, avioni humbi rreth 8,500 metra lartësi, duke zbritur në afro 2,700 metra brenda pak minutash.

Ekuipazhi aktivizoi më pas kodin e emergjencës 7700, i përdorur nga pilotët për të njoftuar kontrollin ajror për një situatë emergjente.

British Airways bëri të ditur se avioni kishte pësuar një “problem teknik” dhe pilotët vendosën të ktheheshin në Britaninë e Madhe.

“Siguria e klientëve dhe ekuipazhit tonë është gjithmonë prioriteti ynë kryesor. Avioni u ul në mënyrë të sigurt pasi pilotët tanë u kthyen në Heathrow pas një problemi teknik”, deklaroi kompania.

Avioni u ul në Heathrow pak pas orës 17:00, ndërsa pasagjerët dolën normalisht nga bordi.

Shkaku i saktë i emergjencës nuk është konfirmuar. Një zbritje e shpejtë në rreth 3,000 metra ose më poshtë mund të kryhet si masë sigurie në rast të dyshimeve për probleme me presionin në kabinë, por nuk ka konfirmim se ky ishte shkaku.

Fluturimi drejt Çikagos, i parashikuar të zgjaste rreth tetë orë e 40 minuta, u anulua pas kthimit të avionit në Londër.

ME TE LEXUARAT