A lindi Hëna pas një “aksidenti” kozmik? Zbulohen gjurmë të përplasjeve gjigante

Soft

A lindi Hëna pas një “aksidenti” kozmik? Zbulohen

Teleskopi hapësinor James Webb ka zbuluar të dhëna të reja mbi përplasjet e fuqishme mes trupave qiellorë, duke ndihmuar astronomët të kuptojnë më mirë edhe teorinë se si mund të jetë formuar Hëna.

Shkencëtarët analizuan 21 sisteme të rinj yjorë, 16 prej tyre duke përdorur të dhënat e teleskopit Webb. Në qendër të studimit ishin disqet ekstreme të mbetjeve, re pluhuri që rrethojnë yjet në zonat ku mund të formohen planetë shkëmborë.

Përbërja e pluhurit u jep studiuesve informacion mbi fuqinë e përplasjeve të mëparshme. Rreth një e treta e disqeve të studiuara rezultuan veçanërisht të pasura me dioksid silici.

Sipas studiuesve, kjo është një shenjë se trupa me përmasa të ngjashme me Marsin mund të jenë përplasur me forcë të jashtëzakonshme, duke avulluar sasi të mëdha materiali.

Zbulimi lidhet edhe me teorinë kryesore për origjinën e Hënës. Sipas saj, miliarda vite më parë, një protoplanet me përmasa afërsisht sa Marsi, i quajtur Theia, u përplas me Tokën e re. Një pjesë e materialit të hedhur në hapësirë nga përplasja do të formonte më pas Hënën.

Gjurmë të tilla duket se janë të rralla. Sipas të dhënave të deritanishme, vetëm rreth 1% e yjeve të rinj shfaqin shenja të dukshme të kësaj faze.

Studiuesit synojnë tashmë të kryejnë vëzhgime të tjera për të kuptuar nëse të njëjtat modele gjenden edhe në sisteme të tjera yjore dhe çfarë roli luajnë përplasjet kozmike në krijimin e planetëve shkëmborë.

ME TE LEXUARAT