Avionë F-35, blinda dhe... çfarë përfshin paketa gjigante e armatimeve që SHBA do ti japë Greqisë

Kosovë&Rajon

Avionë F-35, blinda dhe... çfarë përfshin paketa gjigante

Greqia po përshpejton modernizimin e Forcave të Armatosura, duke hapur rrugën për një paketë të re amerikane armatimesh me vlerë rreth 4 miliardë dollarë. Marrëveshja e dakordësuar në kuadër të Dialogut Strategjik Greqi-SHBA, që u firmos sot në Ahinën ga Sekretari i Shtetit, Marko Rubio përfshin pajisje dhe shërbime për avionët F-35 e F-16, automjete të blinduara Stryker dhe mbështetje për helikopterët e rinj Black Hawk.

Paketa pritet të jetë pjesë e përditësimit të Programit të Unifikuar Afatmesëm për Zhvillim dhe Modernizim që Athina ka marrë përsipër dhe, për këtë arsye, do t'i nënshtrohet procedurave të miratimit në Parlamentin grek.

Në kuadër të programit amerikan Foreign Military Sales, marrëveshjet parashikojnë ndër të tjera armatimin e avionëve luftarakë të gjeneratës së pestë F-35, modernizimin e 38 avionëve F-16 në standardin Viper, furnizimin dhe integrimin e automjeteve të blinduara Stryker, si dhe kontrata Follow-On Support, me fokus të veçantë te helikopterët e rinj.

Në deklaratën e përbashkët të Dialogut Strategjik, Greqia dhe Shtetet e Bashkuara riafirmuan angazhimin për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Sipas palëve, paketa prej 4 miliardë dollarësh synon të mbështesë planifikimin afatgjatë të mbrojtjes së Greqisë, të rrisë ndërveprimin mes dy ushtrive dhe të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi mes industrive të mbrojtjes.

Në të njëjtën marrëveshje u përfshi edhe pjesëmarrja e Greqisë në Programin e Partneritetit Shtetëror të Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së me shtetin e Floridës.

Florida pritet të luajë një rol të rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak greko-amerikan. Marrëveshja e nënshkruar mes Shefit të Shtabit të Përgjithshëm grek, gjeneral Demetrios Houpis, dhe komandantit të Gardës Kombëtare të Floridës, gjeneralmajor John Haas, synon të rrisë trajnimin, shkëmbimin e eksperiencës dhe ndërveprimin mes dy forcave.

Rëndësia e Floridës lidhet edhe me praninë e kapaciteteve të rëndësishme të industrisë amerikane të mbrojtjes në këtë shtet. Pikërisht atje prodhohen helikopterët Black Hawk, ndërsa 35 prej tyre pritet të mbërrijnë në Greqi në fillim të vitit 2027.

Paketa e re përfshin edhe mbështetje teknike dhe operative për Black Hawk-ët grekë. Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, e cilësoi marrëveshjen me Gardën Kombëtare të Floridës si një element të rëndësishëm të reformës së Forcave të Armatosura.

“Brenda kuadrit të ‘Axhendës 2030’, atdheu ynë po kërkon praktikat më të mira në mënyrë që të arrijmë nivelin operacional që dëshirojmë, si për Forcat e Armatosura, ashtu edhe për Rezervën tonë”, deklaroi Dendias.

Sipas tij, transferimi i njohurive, stërvitjet e përbashkëta dhe komunikimi i ngushtë me Gardën Kombëtare të Floridës i japin Greqisë një mundësi shtesë për të rritur kapacitetet e saj ushtarake.

Modernizimi i flotës ajrore dhe forcimi i mjeteve tokësore vjen në kuadër të strategjisë greke për rritjen e aftësive mbrojtëse dhe ndërveprimit me forcat amerikane dhe ato të NATO-s.

ME TE LEXUARAT