Arresti i ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni/ Çfarë pritet të ndodhë sot në Konferencën e Kryetarëve

Aktualitet

aaaaaaaaaa.JPG
Sot në orën 09:00 do të mbahet Konferenca e Kryetarëve për të vendosur lidhur me kërkesën e grupit të Partisë Demokratike për mocion me debat lidhur me ish-kreun e SHISH, Vlora Hysenin.

Në kërkesën e depozituar në Kuvend, PD kërkon që të shqyrtohen përgjegjësitë institucionale për emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe masat e marra për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

Në dokument përmenden informacionet e bëra publike lidhur me pretendimin se, gjatë kohës që ushtronte detyrën, Hyseni ka ndihmuar përmes furnizimit me të dhëna dhe informacione të klasifikuara shtetasin Ergys Agasi, i cili është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për disa vepra penale.

PD kërkon që Kuvendi të shqyrtojë procedurat dhe kriteret e ndjekura për përzgjedhjen dhe emërimin e Hysenit, përgjegjësitë e institucioneve të përfshira në këtë proces, si dhe mekanizmat e kontrollit, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies gjatë ushtrimit të detyrës.

Një tjetër pikë e kërkesës lidhet me verifikimet për të përcaktuar nëse dhe në çfarë mase është komprometuar informacion i klasifikuar, si dhe me masat e marra për garantimin e sigurisë së informacionit dhe mbrojtjen e personelit të SHISH.

Në kërkesë kërkohet gjithashtu shqyrtimi i përgjegjësisë institucionale dhe politike të Kryeministrit dhe strukturave përkatëse shtetërore në procesin e përzgjedhjes, emërimit, mbikëqyrjes dhe largimit të drejtorit të SHISH.

PD argumenton se çështja është e rëndësishme për ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi institucionet e sigurisë kombëtare dhe kërkon transparencë e llogaridhënie për mënyrën se si janë funksionuar mekanizmat e verifikimit dhe mbikëqyrjes.

Në fund të kërkesës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon që Konferenca e Kryetarëve të përcaktojë datën e zhvillimit të mocionit me debat në seancë plenare, duke theksuar se shqyrtimi parlamentar duhet të respektojë pavarësinë e organeve të drejtësisë, prezumimin e pafajësisë dhe rregullat për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion